Në seancë gjyqësore në rastin “Kobra”, ku biznesmeni Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” akuzohet për vrasjen e Visar Cengut, ka dhënë dëshminë babai i viktimës, Behar Cengu. Ai ka thënë se si familje ia kanë lënë në dorë që drejtësia të vendos për djalin e tyre.
Prokurorja, Merita Bina Rugova, ka pyetur dëshmitarin rreth humbjes së jetës së Visarit. “A mundeni të tregoni diçka se si e ka humbur jetën Visari”, ka pyetur ajo. Behar Cengu ka treguar rrethanat se si ka kuptuar humbjen e jetës së djalit të tij.
“Unë jam vënë në dijeni, kam qenë në punë në atë kohë, kishte dal djali si gjithmonë sepse sa ishte kthyer nga Franca. Në orën 4 kishte dal kishte dhe ngrënë bukë dhe kishte dal nga shtëpia. I ka marr në telefon dy shokët dhe kerrin e ka lënë te fakulteti në Kukës.
Ishte natë nuk u kthye djali mendova që është në një darkë apo diku, kuptohet se prisnim nuk e zë gjumi kur nuk kthehet djali në shtëpi. Dola në qytet, i rash në telefon djalit, ka qenë ora 3:30 e natës kisha shërbimin. E thirra shokun e shërbimit, ata e kishin kuptuar ngjarjen po na familja nuk kishim dëgjuar.
Ai shoku më pyeti se a ka Behar tjetër në Kukës, ai shoku i punës më ka thënë shko në spital, aty e gjeta djalin. Sa herë që ka ardhur nga mërgimi kanë ardhur në Kosovë. Nuk kemi dëgjuar se djali ka pasur diçka me veti, ndoshta edhe lek nuk ka pasur në kohën kur ka dal nga shtëpia. Djali nuk ka poseduar armë. Unë dua drejtësi karshi djalit, unë dhe gjithë familja ime”, tha ai.
Avokati i të akuzuarit Florent Latifaj, ka pyetur dëshmitarin Cengu nëse familja e tij ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë. “Kur shkuat në spital kë e keni takuar aty. I plagosuri kush ka qenë. Arben Gashin a e takuat. A jeni takuar me Rutgen dhe Arbenin. Deri më sot kur po flasim, keni pasur kontakte dhe biseduar me ta. Familja juaj më e gjerë a ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë”, tha ai.
Cengu duke iu përgjigjur avokatit ka thënë se nuk kanë pasur problem me askënd në Kosovë. “Në orën 6 e kam takuar djalin, pastaj ka pasur njerëz aty. Personat i plagosuri ka ikur për Tiranë, vëllai im ka qenë i vogli prezent aty. Ka pasur shumë, nuk më kujtohen të gjithë. Edhe djali im me ambulancë ka shkuar në Tiranë. I plagosuri ka qenë Rutgen Shehu. Po kanë marr pjesë në varrim edhe në ngushëllime. Jo se të dy janë jashtë. Jo me atë, por me askënd në Kosovë”, tha ai./ KOHA