“Ju i keni duart e lyera me gjak”: Studentët në Serbi po e zgjerojnë kryengritjen kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit, të cilin e akuzojnë për korrupsion, shkatërrim të institucioneve, nepotizëm, degradim të demokracisë, manipulim zgjedhjesh. A do t’i mbijetojë kësaj furtune autokrati serb?
1.
Më 1 nëntor të vitit që shkoi dhjetëra njerëz po pinin kafe e po bisedonin, krejt normalisht, nën kulmin e stacionit të trenit në Novi Sad, qytetit të dytë më të madh në Serbi. Pastaj një pjesë e madhe e kulmit u rrëzua dhe ua mori jetën 15 njerëzve të pafajshëm. Pushteti ishte lavdëruar se stacioni i trenit ishte renovuar. Nga një firmë kineze.
Kjo tragjedi zemëroi mijëra njerëz në Serbi. Të prirë nga studentët dhe nxënësit, në mbarë vendin, e veçanërisht në qytete të mëdha, nisën protesta kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Në fillim persona të dhunshëm, të dyshuar si të afërt me pushtetin, penguan dhe sulmuan protestuesit. Sa më shumë që po zgjerohen protestat, aq më misterioze po bëhen sulmet. Ditëve të fundit persona të dyshimtë kanë goditur me veturë protestuesit, duke iu shkaktuar lëndime të rënda. Para një jave, studentja 20-vjeçare Sonja Ponjaviq u përplas nga një makinë ndërsa po merrte pjesë në një protestë. Incidenti ka shkaktuar zemërim të madh jo vetëm në Serbi, por edhe në diasporën serbe.
2.
Në dhjetor e pyeta politologen serbe Aleksandra Tomaniq se çfarë i dallonte këto protesta nga të mëhershmet, fundja demonstrata kundër Aleksandar Vuçiqit në Serbi janë zhvilluar shpesh. Kjo ishte përgjigja e saj (në kuadër të një interviste për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”): “Jo vetëm qeveria, por edhe ne si shoqëri civile e kemi nënvlerësuar zemërimin e të rinjve. Kemi menduar se kjo gjeneratë është rritur në një mjedis toksik dhe ka rënë në apati. Tani ata po tregohen të fortë dhe të sigurt në vetvete. Kur presidenti autokratik i fton në bisedime, ata thonë: ‘Nuk flasim me ty. Ti nuk je kompetent. Ne i drejtohemi institucioneve që janë caktuar për zgjidhjen e problemeve.’ Por këto institucione nuk ekzistojnë më, ato janë rrënuar nga regjimi”.
3.
Aleksandra Tomaniq është drejtoreshë ekzekutive e “European Fund for the Balkans” me seli në Beograd. Organizata e saj mbështetet nga disa fondacione perëndimore dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë dhe përparimin e integrimit të shteteve të Ballkanit në BE. Tomaniq ka studiuar ekonomi dhe politikë në Berlin, Madrid dhe Bochum dhe ka punuar për Komisionin Evropian në Bruksel. Ajo ka një shpjegim se përse bash tani studentët në Serbi po protestojnë: “Një nga tezat e mia se përse të rinjtë në Serbi po protestojnë pikërisht tani është se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të emigrosh. Gjermania po vuan nga recesioni, Amerika e Donald Trumpit nuk është një opsion për shumë njerëz, dhe pothuajse kudo në Perëndim partitë kundër emigracionit po fitojnë terren. Shpresoj që të rinjtë ta kenë kuptuar se duhet të luftojnë për vendet dhe të ardhmen e tyre – jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin. Më mbush me krenari dhe gëzim fakti që studentë nga Sllovenia, Bosnjë- Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po solidarizohen me kolegët e tyre në Serbi. Ne kemi pak a shumë të njëjtat probleme. Ne marrim frymë ajrin më të ndotur në kontinent, shpesh nuk kemi ujë të pijshëm të shëndetshëm dhe në shëndetësi lulëzon korrupsioni. Këto protesta janë një lloj psikoterapie kolektive. Është një shenjë shprese që tregon se Ballkani ende nuk është i humbur”.
4.
Gjatë kësaj jave Aleksandar Vuçiqi ishte në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës. Në një videomesazh të postuar në Instagram të enjten nga Klostersi (afër Davosit) ai tregonte se ishte zgjuar në orën 05:55, se po pinte çaj (“kafe nuk pi”, thua se i intereson kjo ndokujt), se do zhvillonte edhe disa takime dhe do të kthehej në Beograd, madje shtoi se mezi po priste të kthehej.
Vuçiqi kishte arsye të ngutej, sepse për të premten studentët bënë thirrje për grevë të përgjithshme. Ndërsa qindra-mijëra njerëz anekënd Serbisë të premten protestuan kundër pushtetit, Vuçiqi iku në Jagodinë, një qytet në provincën e thellë serbe, dhe atje organizoi një antimiting. Mediat e tij njoftuan se në këtë tubim morën pjesë 1 milion përkrahës të Vuçiqit. “Arkivi i tubimeve publike”, një organizatë joqeveritare e specializuar në vlerësimin e shifrave të pjesëmarrësve, njoftoi se në Jogodinë u mblodhën jo më shumë se 14 mijë serbe e serbë, mes tyre punëtorë të administratës, të cilët pak a shumë ishin detyruar të merrnin pjesë. Në internet bëri xhiron një video ku shihej një grua – përkrahëse e Vuçiqit – duke urinuar në rrugë, afër një veture. Njëkohësisht dëgjohej zëri i një gruaje tjetër, e cila e mallkonte gruan me fjalë të rënda dhe duke e udhëzuar që të shkojë te Vuçiqi të pshurret. Nga Davosi Vuçiqi u premtoi bashkëkombësve të tij se së shpejti në Serbi do të hapen 10 fabrika (nuk dha asnjë detaj për këtë), pastaj bëri një premtim të ngahershëm: tha se serbët nga viti 2027 do të udhëtojnë ne vetura fluturuese.
5.
Regjimi serb është, ashiqare, në panik. Pas tubimit në Jagodinë Vuçiq tha: “Gati sa nuk qava kur pashë numrin e njerëzve, Serbia është sulmuar nga jashtë dhe nga brenda”. Një grua tjetër, Ana Bërnabiq, aktualisht kryetare e parlamentit serb, më herët kryeministre, publikoi në profilin e saj zyrtar në Instagram një montazh ku presidenti serb Aleksandar Vuçiq paraqitet me veshje tradicionale, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “Tamo daleko” (“Atje larg”) dhe zhurma e të shtënave.
Bëhet fjalë për një video të krijuar me përdorimin e inteligjencës artificiale, ku ecja e Vuçiqit nëpër një lloj apokalipsi shoqërohet nga shifra që tregojnë rritjen e pretenduar ekonomike të Serbisë, uljen e borxhit publik në krahasim me qeveritë e mëparshme, uljen e shkallës së papunësisë dhe rritjen e pensioneve dhe pagave. Bërnabiq tha se kjo është “pak fore, por në fakt është e vërtetë”. Për komentuesit është e qartë: një përpjekje propagandistike e pushtetit. “Njerëzit po shikojnë dhe po bëjnë kryqin me dorën e djathtë dhe të majtë”, shkruan portali nova.rs. Edhe autokratë të tjerë të Ballkanit kohëve të fundit janë përpjekur që përmes spoteve të ujdisura me inteligjencë artificiale të tregojnë rëndësinë e tyre.
6.
Tani për tani nuk ka shenja se Brukseli apo Washingtoni do të heqin dorë nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit. Ai është kujdesur të sigurojë mbështetje. Gjermanisë i ka premtuar xehen e rëndësishme të litiumit. Francës i ka premtuar se do t’i blejë avionë luftarakë. Familjes Trump i ka premtuar ndërtesën e dikurshme të Ministrisë së Mbrojtjes ku ajo pritet të ndërtojë një hotel. Përmes kanaleve të ndryshme Serbia, sipas gazetës britanike “Financial Times”, i ka dërguar Ukrainës armë dhe municion. Natyrisht jo falas. Qarkullojnë shifra sipas të cilave Serbia i ka shitur armë Ukrainës për 800 milionë euro. Richard Grenell, i ngarkuar i Trumpit për misione të veçanta, në një postim në X shkroi se “nuk mbështesim” minimin e sundimit të ligjit dhe marrjen me forcë të ndërtesave të qeverisë. “Nëse nuk ju pëlqen lideri, punoni për ndryshim, por duhet t’i shmangeni dhunës”. Kush i ka përcjellë sadopak ngjarjet në Serbi nga 1 nëntori e di se dhuna buron nga pala tjetër, nga pushteti, jo nga demonstruesit.
7.
Sa i madh është paniku i pushtetit në Beograd, e tregon edhe ky rast: një organizatë joqeveritare kishte organizuar një punëtori (workshop) në Beograd. Aty kishte pjesëmarrës nga Kroacia, Austria, Irlanda etj. Disa prej tyre u ndaluan në hotel dhe u dëbuan nga vendi. Ambasada e Austrisë në Beograd e cilësoi sjelljen e autoriteteve serbe si “të papranueshme”. Kroacia paralajmëroi masa ndaj Beogradit. Ndërsa Komisioni Europian – çfarë befasie! – u shpreh i “brengosur”. Shenjë paniku është edhe kur një deputet i partisë së Vuçiqit thotë se fëmijët e moshës madhore janë pronë e shtetit. Sipas kësaj logjike ata duhet të bëjnë çfarë u kërkon shteti, rrjedhimisht nuk duhet të protestojnë. Për dallim nga protestat e mëhershme, qytetarët tani kanë humbur frikën nga regjimi. Në fundjavë mysafirët e një restoranti në Beograd zbuluan se aty ishte edhe ministri i financave Sinisha Mali. “Rrofshin studentët”, brohoritën disa mysafirë. Mali u “përgjigj” duke ua treguar atyre gishtin e mesëm. “Sado që shtiren se ‘nuk merakosen (nga protestat)’, është e qartë se Vuçiq dhe ekipi i tij prej muajsh nuk janë në gjendje të gjejnë një përgjigje për protestat aktuale. Kanë provuar me injorim, ryshfet, kërcënime, dhunë…”, shkruan gazetari Filip Shvarm në revistën VREME.
8.
A do t’i mbijetojë Vuçiqi kësaj furtune? Për parashikime të tilla ende është herët. Opozita serbe është heterogjene, e përçarë dhe prej vitesh nuk ka plane se si të përballet me regjimin. Disa nga demokratët e dikurshëm kanë përfunduar si shërbëtor pushteti. Ish-ministri i Mbrojtjes Dragan Shutanovac së fundi u emërua ambasador i Serbisë në Washington.
Por një gjë është e sigurt: Vuçiqi nuk ka qenë kurrë nën presion kaq të madh prej se më 2012 u kthye në pushtet. Ndonëse opozita nuk sheh asgjë pozitive gjatë qeverisjes së tij, e vërtetë është se në dekadën e fundit shumë ndërmarrje perëndimore kanë investuar në Serbi. Vetëm ndërmarrjet gjermane në Serbi punësojnë rreth 80 mijë punëtorë. Ana tjetër e medaljes: edhe nga Serbia po largohen gjithnjë e më shumë njerëz. Arsyet shpesh janë individuale, por në përgjithësi njerëzit largohen sepse në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë nuk shohin perspektivë në vendin e tyre për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit./ KOHA