Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri sërish thirrje sot për kryerjen e vaksinën antigrip, pasi gripi mund të shkaktojë komplikacione të rënda, sidomos te fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Koçiu solli këshillat e mjekëve duke theksuar se “vaksinimi është i rëndësishëm, pasi nuk është kurrë vonë për t’u mbrojtur”.
“Konsultohuni me mjekun e familjes për çdo shqetësim, qendrat shëndetësore janë në gatishmëri 24/7. Zbatoni masat parandaluese: higjienë e mirë, qëndrim në shtëpi në rast simptomash dhe shmangia e kontaktit me persona të sëmurë. Drejtohuni te mjeku specialist në kohë, veçanërisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna”, shkruan ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Mjekja e familjes, Xhentiljana Nazaj pranë Qendrës Shëndetësore Nr.10 u shpreh se vihet re një rritje e numrit të pacientëve që paraqiten me simptomat e virozave të gripit stinor gjatë këtij muaji.
“Përveç respektimit të kushteve të higjienës, shmangia e ekspozimit në ambiente të mbyllura me shumë persona, ushqimi i shëndetshëm, faktori më i rëndësishëm mbrojtës është vaksinimi nga gripi stinor”, tha ajo.
“Ne i ofrojmë vaksinat e gripit në qendrat tona shëndetësore dhe vazhdojmë t’i aplikojmë. Vihet re që pacientët që e kanë kryer rregullisht vaksinën e gripit, e kalojnë më lehtë virozën e stinës me simptoma më te lehta dhe pa komplikacione.
Unë si mjeke rekomandoj që të gjithë personat që nuk e kanë kryer vaksinën e gripit të paraqiten pranë mjekut të familjes që ta kryejnë atë sepse duke bërë vaksinën ne mbrojmë veten dhe personat afër nesh”, thotë mjekja Nazaj.