Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka uruar pasuesin e Miroslav Lajçakut, Peter Sorensen, për emërimin e tij në postin e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Bislimi u shpreh se qasja e balancuar ndaj palëve është parakusht për sukses. “Urime Peter Sorensen për emërimin si EUSR i ri për procesin e dialogut.
I urojmë atij një mandat të suksesshëm si lehtësues, me një qasje të balancuar ndaj palëve dhe negociata si parakusht kyç për një proces të suksesshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social “X”.
Danezi Sorensen do ta marrë detyrën në fillim të muajit shkurt.