Studentët në Serbi po kërkojnë atë që BE-ja duhet t’ia kërkonte shtetit para 20 vjetësh- demokracinë dhe sundimin e ligjit, BeH po e dëshmon absurdin e shpresës së BE-së që ky shtet të hyjë në tregun e përbashkët evropian, ndërkohë që nuk ka treg të përbashkët të vetin, ndërsa në Mal të Zi BE-ja po deklarohet se ky shtet është gjithnjë e më i gatshëm për të qenë anëtar i BE-së, ndërsa partitë politike në pushtet po përpiqen (në formë jo aq të pasuksesshme) ta dëshmojnë të kundërtën. Megjithatë, nga këto kriza duket se nuk ka kthim prapa
- Në Serbi një lëvizje studentore që po shndërrohet në një lëvizje organike qytetare për demokraci arriti të rrëzojë nga funksioni kryeministrin e vendit, njeriun e afërt të presidentit të vendit. Është e besueshme që kjo lëvizje të mos ndalet me kaq, por që të vazhdojë me mjetet e veta – bllokime të herëpashershme rrugësh, greva në fakultete e shkolla, dalje të bujqve me traktorë-të vazhdojë më tutje presionin për demokratizimin e vendit.
Bosnjë e Hercegovina mbeti pa qeveri të veten, pasi partnerët e koalicionit u tërhoqën nga bashkëpunimi me partinë SNSD të Milorad Dodikut. Kjo parti dhe ky lider në formë konsistente ka penguar ecjen e mundimshme drejt Bashkimit Evropian-në fakt kjo parti dhe ky lider nuk kanë bërë gjë tjetër pos të bllokojë funksionimin e Bosnjë e Hercegovinës si shtet, detyrë kjo jo shumë e vështirë marrë parasysh që vendi administrohet juridikisht nga një Marrëveshje armëpushimi (Dayton) e jo një rend kushtetues legjitim.
Mali i Zi e ka Kuvendin e bllokuar, ngase shumica parlamentare, në kundërshtim me Kushtetutën, çoi në pension dy gjykatës të Gjykatës kushtetuese. Opozita, prej atëherë, nuk lejon mbajtjen e seancave parlamentare.
2.
Të tri krizat janë me merita të vetat dhe që të tria kanë kontekstin vetjak të zhvillimeve. Në që të triat kundërshtarët kanë specifikat e veta- studentët kundër pushtetit të presidentit Vuçiq, Dodik kundër të gjithë të tjerëve, opozita e larmishme kundër pushtetit të larmishëm. Por, që të tri krizat janë disi simotra dhe kanë së paku edhe dy rrafshe të përbashkëta.
Njëri është evropian. Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në BE prej vitit 2012. Bosnja e Hercegovina është shtet kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2022. Mali i Zi është shteti për të cilin në Bruksel besohet se do të mund të anëtarësohet në BE më 2030.
E përbashkëta evropiane e të tri krizave është mungesa e realitetit në Bruksel.
Kriza e tanishme politike në Serbi është kërkesa e një popullate të re që shteti të përmbushë diçka që BE-ja ua kërkonte shteteve të posadala nga sistemet njëpartiake- përmbushja e kritereve të Kopenhagës në drejtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kriza e sotme e Serbisë është kriza e një vendi që formalisht është shtet i nisur për anëtarësim në BE, por është një shtet i cili ende nuk i përmbush kriteret bazike të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe kriteret e sundimit të ligjit.
Ngjashëm është me Bosnjë e Hercegovinën. Asaj po i ofrohet të jetë pjesë e tregut të përbashkët evropian ndërkohë që Bosnja e Hercegovina nuk ka treg të përbashkët brenda vendit.
Dhe, një kënd i ngjashëm është me Malin e Zi. Prej rrëzimit të pushtetit të Gjukanoviqit (me vota të lira e demokratike, por pas një fushate demonstratash kleronacionaliste në të cilën është përfshirë edhe Kisha ortodokse e Serbisë) Mali i Zi nuk ka gjetur konsensus evropian. Laramania ideologjike e pushtetit dhe opozitës janë gjetur në një situatë paradoksale ku BE-ja po deklarohet se Mali i Zi është gjithnjë e më i gatshëm për të qenë anëtar i BE-së, ndërsa partitë politike në pushtet po përpiqen (në formë jo aq të pasuksesshme) ta dëshmojnë të kundërtën.
Të tri krizat kanë të integruara brenda iluzionin e BE-së, përkrahja financiare e pushteteve në fuqi dhe forca magnetike e BE-së do t’i transformojë shoqëritë; se tregjet e hapura janë ilaçi për të gjitha. Dhe, sipas reagimeve të BE-së, të tri krizat tregojnë mungesën e të kuptuarit se çka po ndodh në ato tri vende. E, ndoshta dhe për më tepër, në rastin e Serbisë kjo është për të mirën e qytetarëve të Serbisë: studentët që po i prijnë kësaj lëvizjeje as po presin përkrahje prej BE-së e as po e kërkojnë atë. BE-ja është pjesërisht e përgjegjshme për gjendjen e tanishme në Serbi kundër së cilës ata po protestojnë.
3.
Është edhe një rrafsh i përbashkët i të tri krizave. Që të tria janë kriza të deficitit demokratik, por njëri deficit është me pasoja më të mëdha se të tre të tjerët, ai në Beograd. Mungesa e një evolucioni demokratik dhe rikthimi i ligjërimeve nacionaliste e revizioniste në Beograd ka pasur ndikimin e vet në Bosnjë e Hercegovinë e Mal të Zi. Në verë të vitit të kaluar kjo politikë u eksponua me Svesrpski Sabor (të papërkthyeshëm politikisht në gjuhët tjera evropiane), ku u miratua një Platformë për veprim brenda frymës nacionaliste. Një Serbi demokratike do të mund të ishte vendtakimi i të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për të shpejtuar zvetënimin kufijve mes tyre dhe integrimin e regjionit në BE. Serbia e djeshme dhe sotme ishte vendtakimi i liderëve serbë nga pothuajse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të penguar integrimin e regjionit në BE.
Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi-çdonjëra me arsye vetjake për krizë, edhe pa atë të Serbisë-megjithatë mund të kenë ndikime nga zhvillimi i mëtejmë i krizës në Serbi. Nëse ajo niset drejt krijimit të kushteve për transformim demokratik të vendit (nëpërmjet të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme), atëbotë presioni antidemokratik kundër BeH dhe Malit të Zi mund të jetë dukshëm më i vogël. Një Serbi demokratike mund të hapë rrugë për një BeH demokratike dhe një konsensus të ri evropian në Mal të Zi.4.
Nuk dimë se si do të zhvillohen këto kriza. Fitorja e madhe e studentëve, me rrëzimin e Qeverisë së Serbisë, jo domosdoshmërisht mund të çojë në transformim demokratik. Për këtë do të ketë nevojë shumë më tepër, diçka që u përngjet transformimeve demokratike e të padhunshme të shteteve të Evropës Qendrore pas rënies së komunizmit. Kjo mund të ndodhë me një hov revolucionar popullor disamuajsh, mund të ndodhë me krizë të tejzgjatur disavjeçare, mund edhe të gjendet një rrugë e ndërmjetme, as mish as peshk; një gjendje hibride në të cilën nuk sundon autokracia, por nuk dihet saktësisht se në vend të saj cilat forca sundojnë dhe me çfarë force janë institucionet.
Megjithatë, më e mira që mund t’u ndodhë krizave të kësaj natyre, përfshirë edhe këtyre tri është që të arrijnë në stadin ku nuk ka më kthim prapa. Ndoshta këtë do të jemi ta shohim javëve në vazhdim./ KOHA