Deputetja demokrate Flutura Açka u shpreh kundër zhvendosjes së seancës së sotme të Parlamentit nga paradite në pasdite për shkak të varrimit të Kryepeshkopit, Janullatos. Shkrimtarja i kërkoi kryetares së kuvendit nderimin e figurës së Fan Nolit, që sipas saj është lënë në harresë.
“Ju kërkuat një minutë heshtje për Janullatos, por kam një kërkesë personale për ju. Në pak ditë Fan Noli bën 60 vite nga vdekja, meqë ky parlament asnjëherë nuk e ka marrë mundimin ti nderojë figura të kësaj kategorie, të paktën ju mund të bëni një hap të vogël që ti kushtoni një ditë nderimi në këtë parlament, pse jo edhe një minutë sikur bëmë tani.
Me Fan Nolin ju respektoni edhe Hirësinë, diplomatin, shkrimtarin, kompozitorin dhe nuk ka një të dytë për t’u nderuar nga ky parlament si Fan Noli. Ky parlament është ndërprerë kohë e pa kohë, me arsye pa arsye, me arsye madhore dhe minore, nuk e kam fjalën për sot, por edhe për sot, nuk më duket normale që parlamenti të ndërpritet për një arsye si kjo e sotmja. Të njëjtën gjë e keni bërë edhe për vizitën e Erdoganit vitin e kaluar” tha ajo.