Presidentja Vjosa Osmani gjatë një konference për qëndrueshmërinë kombëtare të Kosovës u ndal tek sulmet hibride. Osmani bëri thirrje për përforëcim të kapaciteteve mbrojtëse se dhe u shpreh se Kosova duhet të forcojë edhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar.
“Qëndrueshmëria kombëtare nuk është vetëm një koncept teorik, por është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet…Në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se nga luftërat konvencionale dhe hibride tek sulmet kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është invoative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar… Investimi i vazhdueshëm në armatim si dhe në personelin tonë ushtarak dhe në mirëqenien e tyre është jetik ashtu siç është dhe investimi i vazhdueshëm në institucionet tjera të sigurisë. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara edhe qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme, mbrojtja nga sulmet hibride është po ashtu e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investoj në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe një ekonomie të qëndrueshme me theks në sigurinë energjetike”, tha Osmani.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova po iu përshtatet kërkesave kyçe të Aleancës Veri-Atlantike për qëndrueshmërinë kombëtare.
“Forcimi i qëndrueshmërisë shoqërore thekson nevojën që institucionet në Kosovë të zbatojnë rekomandimet kryesore për të njohur qytetarët si palët kryesore në përgatitje dhe reagim”, tha Kurti.