Transportonin sasi të lëndëve narkotike në Vlorë, për t’ua shitur të tjerë që i shpërndanin në doza, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 persona. Sekuestrohen rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 000 euro.
“Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të dy banues në Fier.
Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur.
Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdhaja në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza” njofton policia.