Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë organizuar të shtunën për bllokimin e tri urave të Novi Sadit, fiks tre muaj pasi 15 persona janë vrarë si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti.
Studentët janë nisur nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt urave Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë, të cilat do të jenë të bllokuara prej orës 15:00.
Disa janë parë duke mbajtur në duar mbishkrimet “Tre muaj – tri ura”.
Urat do të jenë të bllokuara fillimisht për tri orë dhe më pas pjesëmarrësit do të mblidhen në Urën e Lirisë, të cilën do ta bllokojnë për 24 orë.
Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.
Studentët e Beogradit kanë pushuar në disa qyteza derisa kanë arritur në Novi Sad, ndërsa banorët lokalë i kanë mirëpritur me ushqime.
Protestës i janë bashkuar edhe rreth 1.000 motoristë që janë nisur prej Beogradit.
Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviç, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.