Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, denoncoi nga Athina se familjarët e emigrantëve shqiptarë janë kërcënuar me humbjen e punës nëse nuk japin votën e tyre.
Gjatë një takimi me emigrantët, Bardhi theksoi rëndësinë e votës së diasporës si një moment historik për Shqipërinë dhe akuzoi qeverinë për krijimin e vështirësive ekonomike për familjet shqiptare.
“Vota e diasporës është momenti më i rëndësishëm historik në këto 34 vite. Kemi bërë një hap përpara që secili prej jush të votojë aty ku jeton dhe punon. Kjo ju bën pjesë të rëndësishme të asaj se cfarë ndodh në Shqipëri. Kjo ju bën të vendosni për fatin e Shqipërisë.
Ju siguroj për një gjë, secili prej tyre që guxon të kërcënojë familjarët tuaj në Shqipëri se do ti heqin nga puna në këmbim të detyrimit të votës të secilit prej jush do të përballët me drejtësinë dhe do shkojnë në burg. Një dyzinë ministrash dhe deputetësh kanë pushtuar Athinën, Greqinë dhe qytetet kryesore ku janë shqiptarët, duke u bërë presion përmes të afërmeve të tyre që jetojnë mes vështirësive në Shqipëri. Por jam i sigurt që ata kanë gjetur një mur përpara dhe do çajnë vetëm kokën e tyre”, tha kryetari i grupit parlamentar të PD.









