Ditën e sotme u nda nga jeta Dervishi i Teqesë në Alipostivan në Përmet, Baba Hekuran Nikollari. Presidenti Bajram Begaj me anë të një psotimi në rrjete sociale ka reaguar duke shprehur mesazh ngushëllimi.
Begaj shprehet se Baba Hekuran Nikollari ka shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për komunitetin bektashi të qarkut të Gjirokastrës dhe më gjerë. Ai nënvizon se falë punës së jashtëzakonshme të Baba Baba Hekuran Nikollarit, Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan u ringrit nga rrënojat.
“Mësova me dhimbje kalimin nga kjo jetë të Baba Hekuran Nikollarit, klerikut që vazhdoi veprën e Baba Aliut, duke shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për komunitetin bektashi të qarkut të Gjirokastrës e më gjerë.
Falë punës së jashtëzakonshme të Baba Hekuran Nikollarit, Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan u ringrit nga rrënojat. Ai e riktheu këtë vend të shenjtë në simbol të vlerave shqiptare, monument të qetësisë, dashurisë dhe ndihmës për të pamundurit.
Baba Hekurani do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin ndaj besimtarëve, si mbrojtës i identitetit kombëtar dhe përhapjes së harmonisë fetare. I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, besimtarëve bektashinj dhe i bashkohem lutjeve për prehjen në paqe të shpirtit të Baba Hekuran Nikollarit”, shkruan presidenti Begaj.