Sot të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Mesazhet nga politika janë të shumta. Presidenti Bajram Begaj e ka uruar festën e Kurban Bajramit nga Meka, aty ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje.
“Të dashur besimtarë myslimanë, Nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit dhe paqes, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet tuaja!
Kurban Bajrami është kujtesë për sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin.
Festa si Kurban Bajrami na rikujtojnë vlerat që i kemi mbajtur gjallë ndër shekuj: besimin, familjen, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Jam veçanërisht i nderuar që këtë festë ta pres në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe paqe. Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare!”, shkruan presidenti.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë urimin e tij një postim në rrjetet sociale. “Ditë e bekuar, natë e ndritshme Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.









