Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar Haxhi Shalën, Sabit Januzim dhe Ismet Bahtijarim, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë. Kështu trupi gjykues pranoi marrëveshjen e fajësisë që të akuzuarit arritën më herët me Prokurorinë e Specializuar.
Shala u dënua me tre vjet burgim, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi me dy vjet burgim. Koha e qëndruar në paraburgim, sipas trupit gjykues, do t’iu llogaritet në dënim.
“Sa i takon kohës së llogaritur në paraburgim, trupi gjykues vëren se zoti Januzi dhe Bahtijari janë arrestuar më 5 tetor 2023 dhe të dy janë ndaluar në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 6 tetor 2023.
Trupi gjykues e zbret kohën e paraburgimit që prej 5 tetorit 2023. Sa i takon zotit Shala, trupi gjykues vëren se ai është arrestuar më 11 dhjetor 2023 dhe ka qenë i ndaluar në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që nga 12 dhjetori i vitit 2023.
Për rrjedhojë e zbret kohën e paraburgimit që prej 11 dhjetorit 2023”, tha gjykatësja teksa lexoi vendimin e trupit gjykues.
Gjatë seancës, tre të akuzuarit u deklaruan se janë pajtuar që të paguajnë në total 500 euro për zhdëmtimin e viktimës në këtë rast, të identifikuar vetëm si “viktima 01”.
Sipas marrëveshjes, 400 euro do t’i paguajë Shala, 100 Januzi, ndërkaq Bahtijari nuk do të paguajë për zhdëmtim. Kjo shumë duhet t’i paguhet viktimës deri më 19 shkurt.
Pas seancës në Hagë, kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, mirëpriti vendimin e Dhomave, duke theksuar se kjo është hera e parë që të akuzuarit në Hagë pranojnë vullnetarisht fajin.
“Marrëveshjet e pranimit të fajësisë janë precedent historik për faktin se ato përfaqësojnë rastin e parë kur të akuzuarit në Dhomat e Specializuara pranojnë vullnetarisht fajin e tyre”, tha West sipas një njoftimi për media të lëshuar nga Prokuroria e Specializuar.
“Ky zhvillim është me rëndësi kritike për mbrojtjen e integritetit të procedurave në Dhomat e Specializuara, si dhe një hap përpara për administrimin e drejtësisë në Kosovë”, shtoi West./ REL