Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Gjatë bisedimeve u diskutua situata politike në rajon, çështjet e sigurisë, si dhe procesi i integrimit evropian të Kosovës.
Takimi u fokusua gjithashtu tek dialogu me Serbinë, situata e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nevoja për trajtim të drejtë dhe të bazuar në meritë për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
“Rikonfirmojmë përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, duke nënvizuar progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë. Në këtë takim kemi diskutuar gjithashtu për procesin e dialogut me Serbinë dhe për shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për shqiptarët e Luginës, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të afërt dhe bashkëpunimit me institucionet e BE-së,” – u shpreh Kryeministri Kurti.
/5pyetjet.al









