Media ukrainase “Strana” ka publikuar planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën. Plani, që është ende i pakonfirmuar, përfshin një armëpushim me Rusinë deri më 20 prill dhe ndalim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Ai kërkon që Ukraina të pranojë sovranitetin rus mbi territoret e aneksuara dhe trupat ukrainase të largohen nga rajoni Kursk i Rusisë. Gjithashtu, trupa ushtarake evropiane, përfshirë ato britanike, do të mbikëqyrin një zonë të çmilitarizuar, ndërsa trupat amerikane nuk do të përfshihen.
Trump gjithashtu ka shprehur dëshirën të përfundojë luftën brenda 100 ditëve dhe ka përmendur se BE do të luajë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e Ukrainës, që mund të kushtojë deri në 486 miliardë dollarë.
Plani parashikon një telefonatë dhe takime mes liderëve Zelensky dhe Putin për të diskutuar armëpushimin dhe mundësinë e përfundimit të luftës deri më 9 maj.