Disa tërmete të tjera kanë goditur ishullin grek të Santorinit vetëm disa orë pasi autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Ishulli është tronditur nga aktiviteti sizmik këtë javë me mijëra tërmete të regjistruara që nga e diela. Të enjten në mbrëmje, një tërmet me magnitudë 4.6 u regjistrua në orën 20:16 në detin midis Santorinit dhe një ishulli tjetër, Amorgos, i ndjekur nga një tërmet me magnitudë 4.2 afërsisht dy orë më vonë, shkruan BBC.
Gjithashtu në ishullin grek të Santorinit kanë nisur patrullimet gjatë natës nga frika e plaçkitjeve në ishull, i cili kryesisht është lënë i shkretë pasi shumica e banorëve janë larguar. Më shumë se 11,000 njerëz janë larguar pasi autoritetet raportojnë se tërmetet po regjistrohen në një interval minutë pas minutë. Ekspertët kanë paralajmëruar se është e paqartë se kur mund të përfundojë kjo periudhë e krizës sizmike në ishullin e njohur turistik.
Tërmetet e së enjtes deri më tani nuk kanë qenë aq të rënda sa goditja me magnitudë 5.2 që ndodhi të mërkurën në ujërat midis dy ishujve grekë. Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar, dhe gjithashtu nuk ka pasur dëme të mëdha në ishull. Por autoritetet po përgatiten në rast se do të godasë një tërmet më i madh.
Të mërkurën, ata paralajmëruan për rreziqet e rrëshqitjes së dheut në pjesë të ishullit. Një magnitudë 6.0 e lart konsiderohet e rëndë, ndërsa magnituda 5.2, më e forta e përjetuar deri më tani në rajon, konsiderohet normale. Të enjten, zyrtarët grekë thanë se gjendja e jashtëzakonshme për ishullin do të jetë në fuqi për gati një muaj të tërë, deri më 3 mars.
Greqia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në Evropë. Sizmologët i kanë thënë BBC-së se është e vështirë të parashikohet se sa do të zgjasë vala e fundit e aktivitetit sizmik, me autoritetet që paralajmërojnë se mund të vazhdojë për javë të tëra.
“Është me të vërtetë e paprecedentë, ne nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë në [kohët moderne] në Greqi. Jemi në mes të një krize sizmike”, tha Dr Athanassios Ganas, drejtor kërkimor i Observatorit Kombëtar të Athinës.
Tërmetet e një pas njëshme të cilat filluan të premten, kanë habitur shkencëtarët të cilët thonë se një model i tillë është i pazakontë, sepse ato nuk kanë qenë të lidhura me një goditje të madhe. Dr Ganas thotë se ata po shohin shumë tërmete brenda një zone relativisht të vogël, të cilat nuk i përshtaten modelit të një sekuence goditjeje kryesore dhe pas goditjes.
Ata që kanë mbetur në ishull kanë ngritur frikën e një cunami të mundshëm. Ata kanë ndërtuar mbrojtje të improvizuara nga thasët e vendosur përgjatë plazhit Monolithos të ishullit, ku ndërtesat qëndrojnë shumë afër ujit. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili pritet të vizitojë Santorinin të premten tha se të gjitha planet janë të zbatuara. Gjithashtu ai u kërkoi banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.
“Të gjitha planet janë zbatuar. Forcat janë zhvendosur në Santorini dhe ishujt e tjerë, në mënyrë që të jemi gati për çdo rast,” tha ai.
Santorini ndodhet në atë që njihet si Harku Vullkanik Helen një zinxhir ishujsh të krijuar nga vullkanet por shpërthimi i fundit i madh ishte në vitet 1950. Autoritetet greke kanë thënë se lëkundjet e fundit kanë qenë të lidhura me lëvizjet e pllakave tektonike, jo me aktivitetin vullkanik. Shkencëtarët nuk mund të parashikojnë kohën, madhësinë ose vendndodhjen e saktë të tërmeteve.