Aktivisti i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një protestë para kryeministrisë ku ka kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Qori në fjalën e tij ka thënë se arrestimi i Veliajt është vetëm fillimi dhe korrupsioni është një sistem i ndërtuar dhe i mbrojtur nga vetë Edi Rama.
Ai nënvizoi që Veliaj nuk ka vjedhur vetëm për veten e tij por edhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Qori theksoi se korrupsioni duhet të marrë fund dhe drejtësia duhet të shkojë deri në majë.
“Sot, qindra qytetarë iu bashkuan protestës së Lëvizjes BASHKË, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Arrestimi i Erion Veliajt është vetëm fillimi, sepse korrupsioni nuk është thjesht disa individë të veçuar, por një sistem i ndërtuar dhe i mbrojtur nga vetë Edi Rama.
Pastrimi i parave në ndërtim, falja e bregdetit tek oligarkët e quajtur “investitorë strategjikë”, koncesionet kriminale dhe grabitja e fondeve publike; nuk janë vendime të marra nga Erion Veliaj dhe ministrat në mënyrë të pavarur, por një model qeverisës që buron nga kryeministri dhe klika e tij politike.
Veliaj nuk ka vjedhur vetëm për veten e tij, por edhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Dikur, Rama e denonconte korrupsionin me një teoremë të thjeshtë: “Vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë.” Sot, ai është arkitekti dhe përfituesi kryesor i kësaj skeme.
Ne nuk do të ndalemi!
Korrupsioni duhet të marrë fund dhe drejtësia duhet të shkojë deri në majë!”, shkruan Qori në facebook.