-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Protesta pro Veliajt/ SPAK dhe Gjykata i kërkojnë llogari policisë: Pse nuk morët masa?

Kryesoret

Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme i kanë dërguar një letër policisë së shtetit duke i kërkuar llogari se përse nuk morën masa për protestën që u zhvillua ditën e mërkurë pro Erion Veliajt, teksa në sallë po jepej masa e sigurisë për kryetarin e bashkisë.

SPAK dhe GJKKO shprehen se u cenua institucioni nga protesta dhe se duhet të ishin marrë masa nga policia. Dje ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se nuk ishte protestë por aty ishin mbledhur dashamirës dhe simpatizantë të Erion Veliajt dhe se kishte qenë në kontakt me institucionet e drejtësisë, por letra e nxjerr blof.

LETRA E PLOTE

Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të mediave,

Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj që prej datës 12.02.2024, datë
në të cilën u zhvillua seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj,
etj…, për t’ju vënë në dijeni nëse nga ana e Gjykatës është kërkuar prezencë e Policisë së
Shtetit dhe Gardës së Republikës për marrjen e masave sa i takon sigurisë dhe rendit
publik, gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore e sipërcituar, duke ju kërkuar ndjesë
që për shkak të ngarkesës nuk kemi arritur t’ju përgjigjemi në kohë, ju bëjmë me dije si
më poshtë:

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me
shkresën Nr. 589 Prot., datë 13.02.2025, me lëndë “Mbi konstatimin e mos reagimit të
Policisë së Shtetit, për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë si dhe
rrezikimin e jetës dhe shëndetit të gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme dhe personelit
administrativ”, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të
Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe për dijeni Këshillit të Lartë
Gjyqësor dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj shkrese, institucionet e sipërcituara janë vënë në dijeni se:
Që përpara fillimit të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim
Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir
Bektashi dhe Shkelqim Fusha, me qëllim verifikimin e kushteve dhe kritereve të
caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit, në kuadër të procedimit penal nr. 27, të vitit
2024, regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar, në ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme u grumbulluan turma
protestuesish, të cilit bllokuan tërësisht hyrjen në oborrin e përbashkët të Gjykatave të
Posaçme dhe SPAK.

Punonjësit e Gardës së Republikës kanë informuar Gjykatën se, në vazhdimësi është
kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të
Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie
me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e datave
6.12.2024 dhe 06.01.2025. Gjithashtu, informacioni i cili i është përcjellë institucionalisht Policisë së Shtetit nga Garda e Republikës ku i është bërë e ditur rreth grumbullimit të një numri të konsiderueshëm protestuesish përballë Gjykatave të Posaçme është mbuluar
gjithashtu pothuajse nga të gjitha mediat, edhe në lidhje direkte.

Godina e Gjykatës së Posaçme ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës së Shqipërisë
sipas parashikimeve të ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, nenit
12, pika 2, gërma “d” e tij, si dhe VKM-së Nr. 507, datë 27.07.2022 “Për një shtesë në
vendimin nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e
personaliteteve dhe objekteve të tjera, që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së
Shqipërisë”, pika 1 e tij, ku parashikohet shprehimisht se: “Në shkronjën “b”, të pikës 2,
të vendimit nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas nëndarjes “ii”
shtohen nëndarjet “iii” dhe “iv”, me këtë përmbajtje: “iii. Struktura e Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”; iv. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit
dhe Krimit të Organizuar”.

Në nenin 7, pika 1, gërma “l” e ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së
Shqipërisë”, parashikohet shprehimisht se “1. Garda e Republikës së Shqipërisë ka
përgjegjësi dhe kryen këto detyra kryesore: …l) bashkëpunon e bashkëvepron me
Policinë e Shtetit dhe shërbimet inteligjente për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve
dhe të objekteve në ruajtje, sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje të përbashkët
ndërmjet drejtuesve të strukturave”.

Pra, siç parashikohet në dispozitat ligjore dhe VKM-në, të cituara më sipër, Garda e
Republikës ruan dhe mbron vetëm perimetrin e brendshëm të Gjykatave të Posaçme
kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Strukturës së Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe bashkëpunon e bashkëvepron
me Policinë e Shtetit për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në
ruajtje. Përveç sa më sipër, institucioneve të sipërcituara, ju është bërë me dije një tjetër fakt i rëndësishëm mbi situatën e datës 12.02.2025, që ka qenë vështirësia e lëvizjes së
gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila u rëndua gjatë mbrëmjes, ku
protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës,
por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e
protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së
vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin
administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre.
Pavarësisht fakteve të mësipërme, si dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të
parashikuara në ligjin “Për policinë e shtetit”, nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si
mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në
përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e
njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e
Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në
ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën  dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale
përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka
konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe
në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkundrejt institucioneve kushtetuese
të sistemit të drejtësisë shqiptare, siç janë Gjykatat e Posaçme dhe SPAK, të cilave ju
ofrohet mbrojtje e posaçme, jo vetëm nga ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, por dhe nga
ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. Në përmbushje të parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe në përputhje me parimet kushtetuese të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, organet e drejtësisë duhet të mbrohen në mënyrë absolute nga çdo lloj sulmi apo ndikimi i jashtëm.

Respektimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është thelbësor për funksionimin e duhur
të demokracisë dhe për garantimin e një procesi të drejtë ligjor për të gjithë qytetarët. Çdo
tentativë për të ndikuar apo cenuar punën e organeve të drejtësisë bie ndesh me frymën
dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me detyrimet ndërkombëtare që vendi
ynë ka marrë përsipër, në kuadër të sundimit të ligjit. Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ.

Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara
përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit,
të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar ëtë situatë të paprecedentë.

Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025. Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve
kushtetuese dhe ligjore.

 

 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit