Ish deputeti socialist Alket Hyseni i ftuar në një intervistë në News 24 ka folur rreth arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Hyseni u shpreh se ndjen keqardhje që ka arritur në këtë masë ekstreme pasi sipas tij ai ka marrë vullnetin e qytetarëve të Tiranës për të qenë nikoqir i qytetit. Ai nënvizoi që në Shqipëri kanë filluar që gjyqet të bëhen publike dhe dënimet të jepen në momentin që ngrihen akuzat.
“Erionin e njoh, nuk e kam mik të ngushtë, por është personalitet i rëndësishëm i PS. Është shembull i punës, i transformimit të kryeqytetit, që nuk meriton asnjë shans të tillë. Çdo akuzë ndaj tij duhet të trajtohet si një qytetar normal, ashtu siç aktet ndërkombëtare dhe aktet shqiptare që Shqipëria i ka përafruar me aktet e OKB, trajtim me dinjitet.”, tha Hyseni.
Ish deputeti nënvizoi që Veliaj mund të hetohej edhe në gjendje të lirë.
“SPAK, i suportuar me të gjithë energjitë, ka filluar të punojë, por ndoshta zelli i madh, konkurrimi i madh brenda radhëve të veta, po i çon drejt vendimeve të gabuara. Vendime të gabuara që kanë të bëjnë me disa parime që nuk janë të sotme.
Nuk dua të paragjykoj elementë të dosjes, por nuk është me vend fare kur një çështje ndaj një qytetari mund të hetohet në gjendje të lirë. Kërkesat të bëra për masa arresti janë tre herë më të larta se vendet e Europës.
Sot në sistemin tonë, 6 në 10 veta që janë në burgje, janë të padënuar.
Masa e arrestit, është masa e fundit ekstreme. Të njëjtën gjë mendoj edhe për Metën edhe Berishën.”, tha ai.