Kosova duhet të ruajë marrëdhëniet e mira me ndërkombëtarët dhe të fokusohet në stabilitet politik dhe ekonomik. Ky është mesazhi i ish Presidentit Fatmir Sejdiu për krerët e institucioneve të Kosovës.
Në një intervistë dhënë në Glam Radio me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Sejdiu tha se për katër vitet e fundit Kosova nuk ka pranuar asnjë njohje derisa tha se njohjet nuk bëhen pa bashkëpunim me ndërkombëtarët.
‘’Sa kam qenë unë në detyrë kanë qenë diku 70 njohje që janë bërë me konsulencë me miqtë e Kosovës, ku e dimë ne që ishujt janë shtete e anëtarë të Kombeve të Bashkuara, shtëpia pa miq nuk mbahet e nuk mund të ecet tutje pa miq”, tha Sejdiu.
Sejdiu porosit skenën politike duke përdorur edhe shprehje figurative.
‘’Kosova ka arritur shumë objektiva por ka shumë punë për të bërë, e para është qëndrueshmëria politike dhe ekonomike e vendit, por me sfida të shumta që kemi kryesisht vitet e fundit, këto çështje duhet t’i marrim me racionalitet. Zoti ka dhënë ndihmën e tij por po thërret njerëzit e tij që të flasin, figurativisht sepse nuk është e imja që të diktoj”, tha Sejdiu.