I dërguari amerikan për operacione të posaçme, Richard Grenell, i ka uruar, siç ka thënë, miqtë në Kosovë për 17-vjetorin e shtetësisë së vendit. “Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e madhe. Ati themeltar i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të festonte sot në Prishtinë – jo mbrapa grilave në Hagë”, ka thënë Grenell përmes një postimi në X.
Sipas tij, evropianët kanë dështuar që të veprojnë kundër “kësaj padrejtësie në pesë vjetët e fundit”. “Edhe institucionet shtetërore të Kosovës, për shkak të politikës, kanë dështuar që të ndërmarrin veprime të domosdoshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka thënë mes tjerash Grenell në X.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë postimin e tij duke shkruar “Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë!”.
Hashim Thaçi e ka shpallur pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Ai po përballet me dy procese gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe është në paraburgim në qytetin holandez prej vitit 2020.