Helidon Bushati ka njoftuar se ka hequr dorë nga gara për primaret e Partisë Demokratike dhe nuk do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një postim në Facebook, ai theksoi se ky vendim nuk është thjesht personal, por një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Megjithatë, Bushati siguroi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi i tij në Partinë Demokratike, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë pranë partisë dhe demokratëve për të arritur fitore.
Postimi i plotë
Të dashur miq,
Partia Demokratike është përballë sfidave të mëdha. Kjo forcë politike ja doli të kapërcejë momente të vështira që e vunë deri në provën e ekzistencës. Sot demokratët janë të bashkuar dhe po bëhen gati për zgjedhjet jetike për vendin, ato të 11 Majit.
Përveçse për angazhim, koha është dhe për reflektim. Së shpejti, Partia Demokratike do të hyjë në një proçes të rëndësishëm, atë të primareve.
Personalisht, kam zgjedhur të mos mos marr pjesë në primare dhe si rrjedhojë heq dorë nga aspirata për të qenë kandidat për deputet. Ky nuk është thjeshtë një vendim personal, është një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Gjithsesi, ky vendim nuk do të thotë tërheqje nga rrugëtimi ynë i përbashkët. Përkundrazi, do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve.
Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar, dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë te gjithë për Partinë Demokratike dhe liderin e saj Sali Berisha.
Jam i bindur, më shumë se kurrë, se MODERNIZIMI dhe PËRBASHKIMI janë çelësi i fitores. Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë!
Së bashku drejt fitores!