18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Vendime dhe veprime jetike për Europën

Kryesoret

Konferenca tradicionale e Sigurisë në Munih (14–16 Shkurt) me fjalën e Nënpresidentit amerikan J.D. Vance shtangu dhe zhgënjeu kudo drejtuesit dhe përfaqësuesit europianë. Se në vend të rrugëzgjidhjeve gjeostrategjike, sidomos për një paqe të vërtetë e të qëndrueshme për Ukrainën dhe bashkëpunimit të Aleancës Perëndimore, u dëgjuan qortime dhe alternativa antieuropiane, tashmë në emër të rrezikut “nga brenda dhe jo nga jashtë, nga Rusia dhe Kina”. Vërtet që në Riad sapo filluan bisedimet e paqes për Ukrainën, mirëpo me shumë ‘PA’ gjeopolitikisht tejet të rrezikshme – pa BE-në, pa Ukrainën viktimë, pa kthimin e saj në territoret e vitit 2014, pa anëtarësimin në NATO, ndoshta pa trupa amerikane, por vetëm europianë në Ukrainë; më tej, Kievi t’i kthejë Uashingtonit 500 miliard euro ndihma me pasuritë e saj të rralla nëntokësore, ndërsa BE-ja të blejë armë dhe gaz te SHBA-të, ndryshe kamzhik dhe kërbaçe tatimore etj..

Shkurt, Munihu shënoi të çarën më të madhe dhe gati të pariparueshme të bllokut emblematik Perëndimor. Mbas mbi 100 viteve bashkë, aleatët euroatlantikë duket se do të duhet të ecin në rrugë të ndara, me plot rreziqe dhe të papritura në radhë të parë për Europën, por dhe për SHBA-të. Ndaj, më 17 shkurt, “më të mëdhenjtë” e BE-së shkuan nga Munihu në Elizée me ftesën e Presidentit Makron. Samiti informal i Parisit ishte një pauzë e vogël, sa për të mbledhur veten pas shuplakave të forta të Munihut dhe për të treguar vendosmërinë europiane. Puna e vërtetë fillon tani në terren dhe të gjitha metropolet europiane dhe më gjerë. Shqip, tani BE-ja duhet të fillojë zbatimin e parimit “Dy duart për një kokë”, duke e marrë vetë situatën në dorë dhe nëse do paqe në Ukrainë dhe kudo gjetkë në Europë, të përgatitet seriozisht për mbrojtje dhe luftë. Veçse tani pa dilema, gërvëre dhe cicmice politike “mes vedi”. Siç pohon Stephanie Babst, ndër “Natonianet” më të shquara gjermane, Europa duhet të tregojë dhe ajo “dhëmbët dhe muskujt”.

I ka të gjitha mjetet dhe mundësitë, duhet vetëm të shfaqë si në kohërat e saj më heroike kohezionin, vullnetin dhe vendosmërinë historike. Vërtet që ajo ndodhet në momentet e saj më të vështira për shkaqe tashmë të njohura, por ajo ka treguar se i ka forcat dhe kapacitetet e duhura për të kapërcyer vështirësitë e çastit dhe për të shfaqur vlerat e saj të njohura bashkë me aleatë të tjerë të fuqishëm si Britaninë e Madhe, etj.. Veçse tani me një mentalitet të ri proaktiv mbrojtjeje dhe lufte! Me vendimin jetik “O sot, o kurrë” për të mbijetuar, për të mbrojtur interesat dhe vlerat e saj themelore kundër çdo rreziku nga brenda dhe sidomos nga jashtë. Kjo mbasi janë të shumta provat dhe dëshmitë se rreziku rus është iminent dhe vetëm ata që nuk duan, nuk e shohin dhe nuk e dëgjojnë. Kështu, më 14 janar, eksperti i mirënjohur i kësaj fushe, Keir Giles, drejtor i Qendrës Studimore Ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar paralajmëroi në një intervistë për një të përditshme belge se, “mbas pesë vitesh, Rusia e zgjuar do të sulmojë një vend në Europën e përgjumur”.

Giles është i sigurt në pohimin e tij, ashtu si dhe kolegë të tjerë në Europë, duke lënë hapur vetëm momentin e një sulmi të tillë eventual. Po ashtu, vende si Suedia, vendet Baltike dhe Gjermania kanë dhënë alarmin për të marrë masat e duhura për t’u mbrojtur nga një sulm eventual rus, ca më tepër se siç kanë pohuar edhe drejtues të lartë ushtarakë të atyre vendeve, ato janë të papërgatitura ndaj një sulmi eventual ushtarak rus. Edhe Danimarka ditët e fundit ka sinjalizuar për një kërcënim të tillë, ashtu si dhe vetë Zelenski pohoi në Munih. Disa ditë më parë edhe Polonia, e cila këtë gjashtëmujor ka kryesinë e radhës së BE-së bëri thirrje për të marrë masa për forcimin e aftësive mbrojtëse, që BE-ja të jetë e aftë të përballojë kërcënimet dhe rreziqet e jashtme ushtarake. Me këtë rast do nënvizuar se BEja nuk po e fillon nga hiçi këtë punë. Vetëm gjatë vitit 2024 ajo shpenzoi shifrën rekord për mbrojtjen prej 326 miliardë euro nga 200 miliardë deri atë vit; më shumë se Kina me 285 miliardë euro, por shumë më pak se SHBA-të me 882 miliardë. Më konkretisht, vendimi dhe sidomos veprimi epokal europian fillon me një “kuartet” gjeostrategjik ushtarak si forcimi i Mbrojtjes së Integruar Ajrore dhe Antiraketore (IAMD) si “guri i themelit” i mbrojtjes së përbashkët europiane. Për të vazhduar me kompleksin e dytë madhor, luftën elektronike.

Rëndësinë e madhe të këtij komponenti e tregon më qartë konflikti në Ukrainë lidhur me rrezikun që ato përfaqësojnë për infrastrukturën civile dhe ushtarake ndaj goditjeve të kombinuara ajrore. Boshti i tretë i madh i mbrojtjes europiane përbëhet nga armët dhe municionet e telekomanduara dhe dronët kamikazë, të cilët e kanë treguar efikasitetin e tyre në Ukrainë. Komponenti i katërt lidhet me brezin e ardhshëm të luftanijeve sipërfaqësore. I etiketuar si “Anije Luftarake Europiane” ( ECV) ose “Horizont 2040”. Krahas shumë aspekteve të tjera jetike, pyetja madhore që po shtrohet dhe do të trajtohet me theks të veçantë dhe në ditët/javët e ardhshme është se a mund të përgatitet Europa shpejt për të qenë e gatshme për luftë? Ca më tepër kur një sulm i armatosur ushtarak nga Rusia kundër një shteti të BE-së tani nuk është më vetëm supozim apo teori, por mundësi e afërt në kohë dhe në hartë. Mirëpo, për fat të keq, disa vende anëtare të BE-së nuk janë gati për të përballuar një sulm të tillë. Ushtarakë të lartë gjermanë, francezë, britanikë e pohojnë këtë realitet të trishtë. Këtu ndikimin kryesor e ka pasur e vërteta historike se BE-ja më 1958 lindi dhe u zgjerua si një projekt paqeje, kundër luftës, për begati ekonomike dhe demokracinë liberale. Ndërsa sigurinë dhe mbrojtjen e saj e kishte marrë përsipër NATO, e krijuar në 1949 e udhëhequr nga SHBA-të. Kështu plotësohej tabloja e Perëndimit të aftë për t’u mbrojtur nga çdo sulm dhe për të garantuar paqen Euroatlantike.

Mirëpo, agresioni rus ndaj Ukrainës dhe pozicioni i tanishëm i tërhequr i SHBA-ve deri në mundësinë për të mos zbatuar Nenin e famshëm 5 të mbrojtjes kolektive, e kanë nxjerrë zbuluar BEnë në sigurinë nga jashtë, veç telasheve nga brenda. Për pasojë, në 10 vitet e ardhshme Europa është e detyruar të bëjë investime shtesë në shumën prej 500 miliardë euro, në mënyrë që të jetë e përgatitur për mbrojtje, sipas vlerësimeve dhe të Komisionit Europian. Këtu bëjnë pjesë projektet për një mbrojtje kundërajrore dhe një siguri më të madhe në kufijtë lindorë. Tani pothuajse të gjithë në BE janë të një mendjeje se paqja nuk është më e garantuar, ndaj ato duhet të vazhdojnë me armatimin e tyre. Kjo kërkesë ka kohë që bëhet, por nuk është marrë seriozisht. Tashmë kërkohet një “paradigm shift” dmth., një ndryshim epokal, më konkretisht kthimi i BE-së nga një treg gjigand mallrash/shërbimesh në një bashkësi që mendon seriozisht dhe për mbrojtjen. Ndërkohë mbeten për t‘u zgjidhur me konsensus dy çështje përcaktuese: Kush do t’i prodhojë armët e reja, raketat, dronët, granatat? Po paratë për prodhimin e tyre? Macron është në favor të “autonomisë strategjike”.

Sipas tij, “është fare e thjeshtë, BE-ja duhet t’i blejë armët e prodhuara nga ndërmarrjet europiane. Vetëm kështu BEja do bëhet e pavarur nga pjesa tjetër e botës. Nga ana tjetër, ai do që Europa të blejë sa më pak armë të jetë e mundur nga Amerika. Për këtë qëllim duhen ndihmuar dhe forcuar prodhuesit francezë si Dessault ose Thales. Dhe tani së fundi, Presidenti Macron është shprehur në favor të projektit franko-italian “SAMP”, produktet e të cilit, sipas tij, janë më cilësore. Ndryshe nga Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz kërkon bashkëpunim me “partnerët tanë në NATO”. Me këtë ai ka parasysh Britaninë e Madhe, Norvegjinë, Kanadanë dhe SHBA-të. Por Scholz e pa se si Vance nuk i dha as dorën në Munih, përveçse nuk dihet fati i tij politik mbas zgjedhjeve gjermane më 23 shkurt! Deri tani, liderët politikë europianë tregohen të kujdesshëm dhe diplomatikë në formulimet e politikave të tyre në këtë fushë, duke mbetur brenda “sfidave të përbashkëta” dhe me “përgjigje europiane”. Megjithatë, ka ardhur koha që t’i thonë gjërat “copë” dhe të bien dakord. Sipas disa diplomatëve, rruga franceze mund të çojë në shtimin e fërkimeve me Trumpin, i cili ka kërcënuar me tarifa importi nëse nuk blihen armë atje. Sot SHBA-të përfitojnë nga armatosja e Europës mbas agresionit rus kundër Ukrainës. Në vitet 2022 dhe 2023, pothuajse dy nga tre kontrata europiane u bënë me firmat amerikane. Edhe për çështjen e dytë të madhe, se ku do të gjenden fondet për të prodhuar apo blerë armatime të reja, nuk ka ende unitet. Macron kërkoi “më shumë financime europiane dhe hua të përbashkëta”.

Mirëpo Spanja, Italia, Polonia, Britania dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kanë rezerva në këtë drejtim. Ndërsa Gjermania, Holanda dhe Austria janë kundër këtij mendimi. Ato i tremben faktit se në fund të ditës ata do të përballojnë barrën më të madhe. Ndaj dhe në Samitin Informal të BE-së në Bruksel më 4 shkurt, Kancelari Scholz e kundërshtoi idenë e Macronit “BE-ja, – tha Kancelari gjerman nuk duhet të marrë përsipër hua të përbashkëta”. Macroni e ilustron këtë me fondin e përbashkët prej 800 miliardë euro të krijuar me rastin e pandemisë në vitin 2020. Gjysma ishte hua dhe gjysma kredi. Në fakt, fondi gjigant i rindërtimit ishte zhgënjim për shkak të rritjes së përqindjeve të interesit dhe shtetet europiane paguan më shumë se sa mendohej. Dhe vetë Komisioni Europian e nënvleftësoi rritjen e interesave në vitet 2022 dhe 2023. Kësisoj, fondi i rindërtimit rezultoi një shembull i keq për borxhet e përbashkëta. Gjermania ra dakord për këtë fond me kusht që ai të ishte një rast unik. Qeveria gjermane i konsideron borxhet e përbashkëta si instrument për të zbutur efektet e pasojave ekonomike nga tronditja e madhe, në rastin tonë pandemia, por jo si normalitet.

Mirëpo ja që tani ka pasur tronditje të tjera të mëdha si Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe sjellja agresive ruse ndaj Perëndimit si dhe një president amerikan, i cili kërcënon të mbrojë BEnë, vetëm nëse ajo do të shtojë shpenzimet ushtarake. Ndaj, Macron dhe aleatët e tij argumentojnë se është koha që të blihen borxhe të përbashkëta shtetërore europiane dhe koha po vepron në favor të kësaj praktike. Një ide tjetër është që Banka Europiane e Investimeve (BEI) të financojë blerjen e armëve. Një shumicë e vendeve anëtare, duke përfshirë dhe Gjermaninë e mbështet këtë ide. Në fakt, edhe statuti i saj lejon mallra me përdorim të dyfishtë dmth., produktet që përdoren për qëllime civile dhe ushtarake, si satelitë dhe dronë. BEI shihet si “Bankë e klimës”, ajo investon shumë për teknologjitë e pastra. Kthimi i saj në “Bankë armësh” do të ishte radikal, ndaj shumë politikave e kanë frikë këtë transformim dhe ndryshim të rregullave, por në kushtet e reja dhe kjo frikë duket se do t’ia lerë vendin veprimit dinamik. Gjithsesi, ajo çka nuk pret më është angazhimi i përbashkët Euroatlantik për mbrojtjen me çdo kusht të Ukrainës, me të gjitha mjetet dhe mundësitë, përfshi dhe trupa tokësore europiane. Dhe në përfundim, një paqe të drejtë dhe të vërtetë, jo me diktat e të tipit “lere ose merre”, me praninë edhe të BE-së; në respektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, pa shkelur të drejtën ndërkombëtare, kërkohet paqe dhe jo kapitullim apo një pushtim i ri i Ukrainës, si kusht i panegociueshëm për mbrojtjen dhe sigurinë dhe të krejt Europës!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit