Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO në një përgjigje për Gazetën Express, të pyetur në mënyrë specifike për Kosovën, kanë thënë se s’janë në dijeni të ndonjë diskutimi për reduktim apo tërheqje të trupave amerikane.
Një zyrtar i lartë i Misionit të SHBA-së në NATO ka thënë se edhe Sekretari i Mbrojtjes Hagseth në javën e kaluar ka thënë se s’ka pasur vendime që kanë të bëjnë me nivelin e trupave amerikane.
“Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë diskutimi, dhe siç e tha Sekretari Hegseth javën e kaluar nuk ka pasur vendime që kanë të bëjnë me nivelin e trupave”, ka thënë ky zyrtar i lartë i misionit të SHBA-së në NATO.
Ka qenë gazeta gjermane “BILD” që dje ka raportuar se institucionet e sigurisë evropiane janë të alarmuar për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Evropë. Kjo media e kishte përmendur në mënyrë specifike edhe Kosovën, duke thënë se Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova.