Rusia është në përgatitje për të shpallur një “fitore” të pretenduar në luftën ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2025, që përkon me përvjetorin e tretë të pushtimit të saj të plotë në Ukrainë.
Sipas inteligjencës ushtarake të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë këtë datë si një mundësi për të shpallur një triumf jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj NATO-s, duke e portretizuar konfliktin si një disfatë për Perëndimin.
“Rusia po përgatitet të shpallë një të ashtuquajtur ‘fitore’ në luftën kundër Ukrainës në një datë simbolike – 24 shkurt 2025, përvjetorin e tretë të fillimit të luftës në shkallë të gjerë”, thuhet në një postim të Inteligjencës ukrainase në X
“Madje, këto plane mund të përfshijnë edhe një ‘fitore ruse ndaj NATO-s’, pasi propaganda ruse e ka paraqitur prej kohësh luftën kundër Ukrainës si një luftë kundër Aleancës”, thuhet më tej në postim.
Agjencia e inteligjencës ukrainase gjithashtu sugjeron se bisedimet e fundit SHBA-Rusi mund të jenë një mundësi për të promovuar këto qëndrime.