-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: “I fundit gjerman i Andeve” Kancelar!

Kryesoret

Më 23 Shkurt gjermanët  zgjodhën 630 deputetët e rinj të Bundestagut dhe Kancelarin e tyre të ri. Është hera e katërt që në këto 80 vitet e fundit në Gjermani  u zhvilluan zgjedhje të parakohshme parlamentare,  mbasi koalicioni qeveritar tripartiak ose ” Semafora”  gjermane  u shpërbë nëntorin e kaluar me largimin e Liberalëve. Dy kandidatët kryesorë ishin Kancelari i tanishëm i SPD-së, Olaf Scholz, dhe sfidanti i tij, lideri 69 vjeçar i Bashkimit Kristian – Demokrat CDU/CSU  Fredrich Merz. Deri në vitin 2002 Merz ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Kancelares Merkel dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së, por u largua mbas divergjencash të mëdha dhe ” allnimit politik” me zonjën Merkel. Ai bëri një rikthim të fuqishëm dhe mbas shumë sprovash, në vitin 2019  mori në duar ”frenat” e Partisë konservatore. Pajtimi me Merkel dhe pasuesit e saj, integriteti i tij moral dhe politik, ku spikatin oratoria, fuqia bindëse dhe polemika brilante e bënë atë qysh në fillim të garës zgjedhore kandidatin më të mundshëm fitues në këto zgjedhje; dhe kjo si në sondazhe  dhe në frymën e opinionit të gjerë publik.

Por dhe duke parë ecurinë dhe rezultatet e CDU-së në zgjedhjet europiane dhe në  në disa lande vjeshtën e kaluar, ku ajo ka dalë bindshëm forca e parë ose e dytë, dhe si alternativa më e sigurt për të parandaluar marshimin e ekstremistëve të djathtë të AfD-së drejt Bundestagut dhe pushtetit federal; sidomos mbas inkurajimit dhe motivimit të saj të madh nga  Nënpresidenti amerikan J.D.Vance dhe supermiliarderi Elon Musk, të cilët e cilësuan AfD-në si ” alternativa dhe shpresa e vetme dhe e fundit për Gjermaninë”.

Rezultatet e zgjedhjeve gjermane të 23 Shkurtit tashmë janë bërë të njohura bashkë me përfundimet përkatëse. Ndaj, në këtë shkrim do të ndalemi te një fakt jo shumë i njohur dhe interesant, sidomos jashtë Gjermanisë. Zoti Merz si Kancelari i ardhshëm  është veç të tjerash dhe realizimi i një ëndre të bukur politike rinore të tij  mbi 45 vite më parë bashkë me një grup shokësh të CDU/CSU-së.

Kjo ngjarje të shpie larg, në Alpet e Andeve në Amerikën Latine mbi 45 vite më parë, më 25 korrik 1979, kur 12 të rinj 20 – 25 vjeçarë të CDU/CSU-së gjermane po ktheheshin nga një tur vizitash në disa vende të Amerikës Latine. Bashkë me ta  ishte dhe 23 vjeçari i atëhershëm, Friedrich Merz. Ata po fluturonin mbi Alpet e famshme të Andeve vonë pas mesnate. Aty nuk dihet tamam se si lindi një aventurë rinore ideja e një pakti apo marrëveshje fjale për të ardhmen e tyre politike.

Konkretisht ata vendosën që kur të vinte momenti i duhur grupi i tyre të mbështeste pa rezerva atë që do të kandidonte për Kancelar. Kjo aleancë rinore që më vonë pati 17 anëtarë u quajt Pakti i Andeve II,  për ta dalluar nga Traktati me të njëjtin emër i miratuar më 1969 nga liderët e vendeve Latino-Amerikane sipas modelit të BE-së. Logoja e tyre kryesore ishte “ Me shumë hapësirë politike” Ndonëse asnjë prej pjesëmarrësve nuk  është prononcuar publikisht dhe nuk ka ndonjë dokument zyrtar, ekzistenca e këtij Pakti në formën e një grupi interesi brenda CDU-së është fakt i njohur, mjaft i përfolur dhe i pamohuar.

Gati dy dekada më vonë, “andinot” siç njihen ndryshe të rinjtë e lartpërmendur,  ia dolën të promovohen në poste të larta drejtuese në CDU, kryeministra landesh, si Roland Koch, Christian  Wulf, Volker Buffier, Günther Oetinger, etj. Kurse “ stari” tjetër në ngritje, Friedbert Pluger u caktua si shef i jashtëm i CDU-së. Kësisoj, fitimi i kancelarisë po shfaqej gjithnjë e më pranë për ta.

Kjo vazhdoi deri në vitin 1990, kur me ribashkimin gjerman ndodhi një zhvillim i pazakontë. Kancelari legjendar i CDU-së, Helmut Kohl përzgjodhi “Gruan nga lindja”, fizikanten Angela Merkel si ministre Mjedisi në qeverinë e tij dhe kjo e fundit  filloi të ngjiste shkallët e karrierës politike në CDU.

Gjithsesi, zhvillimi më i pakëndshëm për ta ndodhi në shtator 1998, kur Kohl humbi përballë social-demokratit Schroder pas 16 vitesh në pushtet. Gjërat po shkonin “nga shiu në breshër” në fillimin e viteve 2000 kur Kohl dhe pasardhësi i tij, presidenti i sotëm i Bundestagut,  Wolfgand Schäuble u larguan dhe nga kryesimi i CDU-së pas skandalit të financimeve të paligjshme në parti.

Në këto kushte, “ andinot” menduan të hidhen në sulm duke krijuar pengesa për Merkel, pasi kjo e fundit po merrte në dorë të ardhmen e CDU-së dhe “ riskun” e tyre. Në vitin 2002 ata ia arritën qëllimit dhe në zgjedhjet parlamentare të atij viti Merkel u detyrua t’ia dorëzojë kandidaturën për Kancelar  CSU-së “motër” dhe liderit të saj karizmatik Edmund Stoiber.

Gjatë periudhës 2001 – 2006 duke qenë  diplomat në Berlin më ftonin  në disa veprimtari publike të CDU-së dhe aty kam parë se perceptimi si brenda saj dhe më gjerë në publik ishte se Merkel nuk e kishte staturën dhe karizmën e  duhur për Kancelare. Sot kjo duket e habitshme, por ky ishte realiteti i asaj periudhe. Në krijimin e këtij perceptimi duhet të kenë patur ndikimin e tyre dhe “ burrat politikë” të CDU-së. Moskonkurimi i saj, ndonëse lidere e partisë në ato zgjedhje, që u rifituan nga Schroder ishte një goditje morale për Merkel. Por ajo diti ta kapërcejë  shpejt këtë gjendje, pa “firo” dhe kosto të mëtejshme, falë gjakftohtësisë, durimit, llogaritjeve të sakta,  gjuhës dhe sjelljes politike  të përmbajtur, pa zhurmë dhe polemika.

E kundërta po ndodhte me “Paktin e Andeve” ku telashet nuk kishin të sosur. Momenti më i keq për ta u shënua në vitin 2005 me rastin e zgjedhjeve të parakohshme. Merkel tashmë ishte shumë më e fuqishme, falë dhe shumë grave e vajzave me vlera që kishte futur me guxim në qeveri dhe në udhëheqje të CDU-së; tashmë ajo kishte dhe të drejtën morale dhe politike të konkuronte për postin e Kancelares, si liderja e CDU-së dhe pa kundërshtar tjetër. Madje, ajo e kishte fituar këtë post duke sfiduar zëvendësin e saj, Fridrich Merz,  një ndër protagonistët e Andeve, polemist dhe debatues “ par excellence” Ai mbante postin e kryetarit të Grupit Parlamentar, praktikisht  Nr. 2 në parti me synime drejt kancelarisë. Por, Merz e pa se e kishte të humbur davanë dhe u tërhoq nga gara në momentet e fundit. Më  2008 ai u largua  dhe politika e CDU-ja, duke u marrë me biznes, por  një sy e mbante përherë nga politika.

Me gjithë pështjellimin që krijoi fitorja e Merkelit si Kancelare me një rezultat tejet të ngushtë ndaj Schroderit në Shtator 2005, sërish pjesëtarët e Andeve i ngushëllonte mendimi se ajo do të ishte jetëshkurtër në këtë post dhe atyre do t’u vinte më vonë  mundësia e artë. Por, sërish ata gabuan në llogaritë politike. Për fatin e tyre të keq,  Merkel qeverisi për 16 vite rresht si  Kancelare.

Vlen të theksohet se në vitin 2003, kur ata  e njoftuan Merkelin për ekzistencën e Paktit, Merkel nuk bëri kurrfarë “gjueti shtrigash”; ajo nuk u përfshi në debate dhe polemika me protagonistët e tij, madje u la hapësirë të vërtetë veprimi, ua plotësoi dëshirat politike pa kurrfarë pengese, etj. Kështu, në vitin 2010, ajo pranoi që  kundërshtari i saj më i madh, Christian  Wulf të bëhej President Federal. Ndërkohë, shoku i tij i “armëve” Roland Koch, sfidant tjetër i vështirë për Merkel u tërhoq nga politika që t’i linte rrugën Wulf si Kancelar i ardhshëm, me mendimin se ai mund ta mposhte Merkel. Mirëpo  Wulf më 2012 u detyrua të jepte dorëheqjen pas akuzave për shpërdorim detyre dhe të fondeve publike, duke i dhënë goditjen më të rëndë objektivit të Andeve drejt Kancelarisë. Ndërkohë, Friedbert Plüger pësoi disfatë të madhe në garën për Kryetar Bashkie të Berlinit dhe u largua nga politika aktive. Protagonisti  tjetër, Elmar Broek vazhdonte në Parlamentin Evropian si kryetar i Komisionit të Jashtëm deri tani vonë, kurse Günther Oetinger, ndër kundërshtarët  më të fortë,  Merkel e „ hoqi qafe“ duke e caktuar në Bruksel si Komisioner ku vijoi gjatë.

Po ashtu, një ndër yjet më shpresëdhënës të  Andeve, Franz Josef Jung, më 2005  u emërua ministër i Mbrojtjes deri në vitin 2009 kur pas disa aludimeve Merkel e transferon në Ministrinë Federale të Punës, ndër më të rëndësishmet. Pasardhësja e tij në Ministrinë Federale të Mbrojtjes u caktua Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von den Leyen, besnike e Merkel krahas disa grave të tjera në dikasteret e arsimit, shëndetësisë, familjes, etj. Por Jung qëndroi vetëm 33 ditë si Ministër i Punës, sepse dha dorëheqjen pasi u dëshmua se kishte gënjyer lidhur mee një incident të rrezikshëm në Afganistan kur ishte në krye të mbrojtjes. Me largimin dhe të Jung nga politika aktive, Pakti i Andeve u katandis, siç i thonë fjalës, “ kokoshi një thelë”

Në ato rrethana, aty nga viti 2012, “pakti i Andeve II“  u shpall i shpërbërë dhe pothuajse ishte harruar. Mirëpo, çuditërisht, në Mars 2018, gjatë ceremonisë mortore të Kardinalit gjerman Lehman, disa nga pjestarët e tij patën një takim informal në prani dhe të Presidentit të Bundestagut,  të ndjerit  Wolfgang Schauble, mbështetës i atij Pakti. Nisur nga gjendja e vështirë që po kalonte koalicioni qeveritar dhe mundësisë së tërheqjes së shpejtë e të mundshme të Kancelares Merkel nga drejtimi i partisë dhe qeverisë, në atë takim u vendos t’i jepej mbështetja Friedrich Merz, si kandidat  për garën e ardhëshme për drejtimin e CDU-së.

Parashikimi i tyre u vërtetua dhe Merkel në tetor 2018 dha dorëheqjen nga drejtimi i CDU-së. Merz shpalli menjëherë kandidaturën e tij në zgjedhjet e muajit Dhjetor 2018. Megjithë fushatën aktive pavarësisht nga mungesa 10 vjet e tij në politikën aktive, ai humbi me rezultat tejet të ngushtë përballë sekretares së Përgjithshme të caktuar nga vetë Merkel, Annegret Kramp Karrenbauer.

Praktikisht, kjo ishte humbja e dytë e Merz përballë Merkel por kësaj radhe dinjitoze dhe mbresëlënëse. Gjithsesi, humbja me një diferencë fare të vogël votash e mbajti Merz sërish në lojë; për më tepër, ai besonte te thënia  “ E treta, e vërteta” I rikthyer në CDU ai u caktua Kryetar i Komisionit Ekonomik në Parti por gjithsesi nuk arriti të marrë ndonjë post ministror të cilin e shihte si një trampolinë drejt kandidaturës për Kancelar në zgjedhjet e vitit 2021, nga e cila nuk hoqi asnjëherë dorë. Kështu, ai mendonte të merrte revanshin dhe mbi të gjitha për të realizuar  ëndrrën 40 vjeçare, tashmë si i “fundit politikan gjerman “ëndërrimtar i Andeve”.

Në fakt, të gjithë burrat e tjerë të Andeve të CDU-së” kanë dështuar sepse nuk kishin vizion të qartë veç ëndrrës së tyre, ishin të prirur më shumë nga dëshira e mirë se sa realpolitika; ata nuk i zgjeruan territoret e influencës së tyre elektorale, veç zhvillimeve të tjera të cilat ata  nuk mund t’i parashikonin tek fluturonin mbi Ande natën e 25 Korrikut 1979, sidomos ribashkimin gjerman dhe atë evropian. Ndikim negativ pati dhe integraliteti i tyre i pamjaftueshëm politik dhe moral, ku nuk munguan aferat e ndryshme, ca më tepër përballë figurës emblematike të Merkel, për të cilën nuk ka patur asnjë aludim të vetëm.

Meqenëse politikën shpesh e krahasojnë me futbollin, duke përdorur termat e tij mund të thuhet se përballë ekipit të “vajzave” të Merkelit që “luanin bukur, me dhe pa top, në mbrojtje e në sulm dhe me presing në gjithë fushën,  “klubi i djemve » i Andeve ka luajtur dobët dhe pa ritëm, me plot faulla dhe pozicione «  jashtë loje » e deri te «kartonët e kuq»

Mirëpo, ja që diferencën e bëri pikërisht Friedrich Meerz dhe me fushatën zgjedhore të 23 Shkurtit që zhvilloi deri në fitoren e tij prfundimtare. Me fakte, argumenta, takt dhe etikë të lartë politike, ai e mbajti lart “stekën“ gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe në të gjitha sondazhet, duke sfiduar dhe Kancelarin në largim Olaf Scholz. Me 28,6 për qind të votave për CDU/CSU, Merz bëhet Kancelari i ri gjerman i djathtë.

Por tani që fitoi bindshëm zgjedhjet e 23 Shkurtit, “ëndërrimtari i Andeve“ përballet me realitete të ashpra dhe të forta në Berlin, në Europë dhe në Uashington, me plot sfida, probleme dhe pengesa nga të gjitha anët dhe të çdo lloji. Duke filluar me krijimin e koalicionit të ri qeveritar me SPD-në brenda muajit Prill, siç dhe ka premtuar. Por dhe si garanci e fuqishme Euro-Atlantike për rolin e Gjermanisë si lokomotivë dhe kampione e demokracise, paqes dhe sigurisë.

Këtë mision të madh historik të tij dhe të qeverisë së ardhëshme gjermane e ka sintetizuar me thirjen e saj Kryeredaktorja e emblematikes “Bild“ Marion Horn:

“Të shpëtojnë vendin, ta kthejnë atë sërish në një lokomotivë ekonomike që të na marrin seriozisht në botë.Të forcohemi aq shumë ushtarakisht sa te jemi në gjendje të mbrojmë vehten dhe Europën, pavarësisht nga çmimi. Ne duhet ta MENDOJME sërish  Europën  dhe bashkë me miqtë tanë të KRIJOJME vërtet një Europë të Bashkuar“.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit