Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani u shpreh sot gjatë një aktiviteti për drejtësinë se prokurorët janë zyrtarët më të kontrolluar sot në Shqipëri. Ai tregoi të gjitha mekanizmat.
“Llogaridhënia, në raport me SPAK-un, ne jemi institucioni më i kontrolluar dhe jemi shumë të vëmendshëm për cdo shkelje ligji, kemi hetuar dhe hetojmë njëri tjetrin. Japim llogari, kontrollohemi nga gjykatat e të gjitha niveleve, shkalla e parë, apeli, Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese. Ne kontrollohemi nga KLP, nga ILD-ja dhe këtu nuk bëjmë përjashtim edhe si ne si cdo prokuror i juridiksionit të përgjithshëm kontrollohet edhe prokurori i posaçëm.
Raportojmë në Kuvend mbi ecurinë e institucionit duke dhënë një panoramë të plotë të punës për problemet e hasura dhe propozojmë si mund të zgjidhen dhe Kuvendi përmes rekomandimeve ka mundësi që të kontrollojë punën e SPAK. Në dy vitet e fundit në raportet që bëjmë, është si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit dhe Qeverisë në luftën kundër korrupsionit” tha ai.
Edhe gjyqtari Erjon Bani theksoi gjithashtu si kontrollohen gjyqtarët. “Lidhur me integritetin e gjyqtarëve është ajo që tha zoti Dumani, si gjykatat dhe prokuroria dhe BKH-ja janë më të monitoruarat, i nënshtrohen kontrollit, mund të përgjohen në kohë reale të gjitha komunikimet, mesazhet.
Përsa i përket integritetit, prezeumohet integriteti i gjyqtarë, kemi edhe vettingun dhe qëllimi është bërë për të kthyer besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. Kemi edhe një komision të posaçëm pranë prokurorisë së posaçme për të kaluar këtë filtër” tha ai.