Kreu i qeverisë, Edi Rama njoftoi sot se nuk do të rrijë duarkryq ndaj SPAK-ut. Tha se është kthyer në redaksi lajmesh. Akuzoi se po intimidon qytetarët, e fundit sipas tij një nënë me dy fëmijë.
“Ne nuk i thamë Klotidës ke mbështetjen tonë se je e pafajshme, ne nuk i thamë gjykatësve mos e ngacmoni se është e jona, por ne nuk mnd të mos kuptojmë kur kryetarja e Komisionit të Ligjeve merr vesh nga televizori që është person i dyshuar. Nuk mund ta pranojmë që SPAK është redaksi lajmesh me gazetarë që tundin dosjet.
Nuk mund ta pranojmë ne që njerëzit merren dhe intimidohen atje si persona në dijeni, që mos të marrin avokat. Kam informuar ministrin e Drejtësisë, për një intimidim tjetër, të një nëne me dy fëmijë, që i kërkohet të pranojë atë që nuk ka bërë. Po kostot financiare të gjithë kësaj, a duhet t’i kemi parasysh se çfarë po paguajnë shqiptarët?
Hallak, por kur paguan një prokuror më shumë se presidentin, do t’i kërkosh edhe standarde dreqi e mori, nuk shkon. Ne na ka zgjedhur ky popull, këto janë detyrat tona. Këneta e sheh SPAK dhe GJKKO, si shpresë për të luftuar PS”, tha ai.
Shkoi edhe më tej kur tha se SPAK po sillet si parti politike. “Ti dëgjojnë këto që themi si kritika dhe shqetësime konstruktive. Për ne, mua dhe PS, SPAK dhe GJKKO rrojnë 1000 vjet nuk i vjen e keqja dhe shqetësim nga ne.
Të mos ndjekin mediat sikur janë parti politike, të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët speciale të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos bëhen redaksi gazetash dhe të bëjnë punën e tyre. Sa herë kurdoherë, kudo qoftë që do të kapin korrupsion atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën, por korrupsion ama” tha ai.