Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, gjatë vizitës në Athinë me strukturat e partisë, ka prezantuar programin e 5 prioriteteve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se qëllimi kryesor është ndalimi i shpopullimit dhe ofrimi i mbështetjes konkrete për çiftet e reja që kanë vështirësi të blejnë shtëpi.
“Ne vijmë para jush me një program konkret, plotësisht të realizueshëm, të certefikuar dhe plotësisht të financueshëm, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus.
Një program i cili jo vetëm i jep fund dramës së madhe të shpopullimit, por edhe e shndërron Shqipërinë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon”, tha Blushi.
Ai theksoi se fondi për realizimin e këtij programi mund të sigurohet nga rreth 3 miliardë euro që, sipas tij, vidhen nga qeveria e Edi Ramës.
“Në 4 vjet janë rreth 12 miliardë euro, plotësisht të mjaftueshme për të ndryshuar të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e familjarëve tuaj që jetojnë në Atdheun tonë të përbashkët.
Ne ofrojmë shtëpi sipas modelit hungarez, një model i cili ka rezultuar i suksesshëm dhe një mbështetje konkrete për ciftet dhe për familjet e reja.
Ne angazhohemi të paguajmë pagat për nënat deri në 2 vite pas lindjes në masën 100%.
Ne angazhohemi të japim kredi për ciftet e reja, duke ofruar zbritje të kredisë për ta, 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë, 10 mijë euro për fëmijën e tretë e kështu në mënyrë progressive.
Si dhe do të japim 20 mijë euro grand për cdo të ri deri në 29 vjec, i cili ka ambicie dhe synon të hapi një biznes ose start-up”.