Pas samitit të Londrës që u zhvillua të dielën për çështjen e Ukrainës, liderët evropianë kanë dalë me reagime mbi situatën. Kryeministri polak, Donald Tusk, është shprehur se Evropa është zgjuar pas këtij takimi, duke shtuar se liderët shprehën gatishmërinë të ndihmojnë Ukrainën kundër agresionit rus.
Ai ka shkruar në X se “nevojitet bashkëpunim i ngushtë transatlantik dhe forcim i kufirit lindor”. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se ajo që s’mund të përballohet është një paqe që nuk zgjat, raportoi BBC-ja.
Ajo ka kërkuar për kujdes të shtuar. “Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vlerësojmë atë që po propozohet, veçanërisht në përgjigje të kësaj pyetjeje kyçe: a mund të cenohet kjo paqe? Sepse, për fat të keq, ne e kemi parë këtë të ndodhë në të kaluarën”, ka shtuar Meloni.
Kryeministri aktual gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se çelësi për siguri është aleanca transatlantike. Ai është shprehur se aleanca është forcuar viteve të fundit me anëtarë të rinj dhe shpenzime të mbrojtjes, duke kërkuar që kjo rrugë të ndiqet edhe në të ardhmen.
Ndërsa, kryeministri holandez, Dick Schoof, ka thënë se Evropa duhet të marrë rol më të madhe në garancimin e sigurisë për kontinentin tonë. Ai ka shtuar se raportet e mira me vendet transatlantike duhet të jenë të domosdoshme.