Është e vështirë të përceptohet se si një institucion i drejtësisë, për pak kohë, ndoshta edhe nga që kishte mbështetur shpatullat në dy struktura të fuqishme, ndërkombëtarët dhe shumicën qeverisëse, ngrihet tepër lart në besimin e njerëzve dhe fillon të bjerë, po aq rëndshëm, në bjerrjen e besimit ndaj tij.
SPAK ishte, pa dyshim, institucioni që në pak kohë, sidomos pas vendosjes në drejtimin e tij të kryeprokurorit Dumani, struktura që fitoi besim të ndjeshëm te njerëzit, jo vetëm për goditjet ndaj politikës, por edhe ndaj disa bandave ,që në kohë të ndryshme, kishin pasur mbështetjen e politikës.
Rritja e shpejtë e besimit , si duket, krijoi dobësinë e tij, garancinë e drejtësisë së tij relative. Një institucion drejtësie, në gjendjen e tij të natyrshme është një strukturë e arsyeshme, që respekton gjithnjë ligjet, mes tyre, edhe ato normale. Kontrata që bashkon SPAK me shtetasit nuk u duhet imponuar këtyre të fundit nga dobësia e sistemit, apo edhe më tej, nga shprishja e ballancës mes së vërtetës, të drejtës dhe ligjit.
Si është e mundur që njerëzit në këto 35 vite të lirisë së mendimit, të cilëve gjithkush u thotë se kanë lindur të lirë, pranuan me aq lehtësi autoritetin e një institucioni, që kishte në vete mbështetjen që cilësuam më tej, si dhe të drejtën e ligjit?
Si është e mundur që pak ditë, kjo rritje filloi të bjerë dhe ndikimi i këtij institucioni po shkon gjithnjë e më tej nga shprishja , ndërtim i një raporti mes besimit dhe mos besimit, duke i dhënë peshë këtij të fundit?
Njerëzit besuan dhe vazhdojnë të besojnë në SPAK pasi në 35 vite ata shikonin se institucionet e tyre , me gjithë lëvizje të ngadalta, jo vetëm nuk ishin më efikase dhe të durueshme për njerëzit, por, në të kundërtën, ata krijuan gangrenën e shtetit, krijuan frymën antihistorike të grabitjes dhe realizuan mendimin e prapshtë se, një njeri i zot është ai që vjedh, që korruptohet, dhe kjo është një gjë e natyrshme. Kthimi i së keqes në normalitet ishte shkaku themelor i krijimit të kësaj strukture. Njerëzit kërkonin një vjegëz besimi dhe e gjetën aty.
Mjaftoi një shkarje e rëndë, e papritur, mbushur më shumë me mllef dhe arrogancë, që zbuloi se brenda kështjellës së shtrenjtë dhe të domosdoshme ishte krijuar miti i pathyeshmërisë dhe i pa gabueshmërisë. Një tufëz prokurorësh, të ardhur në këtë strukturë jashtë çdo merite dhe pasojë e së djeshmes korruptive apo abuzive kishin gjetur strehën e tyre në një sistem, i cili, i ngritur për të hequr të keqen, duket se po shprish edhe veten. Mjerisht, duket se pushteti i tepërt i dhënë kësaj strukture, po e konsumon atë dhe krijon ndjesinë e një force të tretëpolitike pushtetore, e cila, edhe pse nuk është realisht në zgjedhjet e 11 majit, në fakt është aty. Krijimi i autokracisë në SPAK është po aq i rrezikshëm sa dobësimi i gjithë sistemit të drejtësisë.
Një oligarki e zgjedhur brenda sistemit të drejtësisë mund të bëhet po aq e rrezikshme sa edhe një oligarki tiranike, në qoftë se kërkon të ushtrojë absolutizmin. Kësaj, pas ngritjes së hovshme, nuk i shpëtoi dot as SPAK, BKH dhe GJKKO.
Rasti Meta fillimisht, mënyra e arrestimit të tij, duke humbur çdo lloj sensi njerëzor, e aq më tepër çdo lloj ndjenje politike. Njeriu që po arrestohej në mes të rrugës, regjistrohej nga një kamera e fshehtë, kishte qenë njeriu i parë i shtetit, në funksionet më të rëndësishme të qeverisjes, pa asnjë frikë largimi apo kërcënimi, e megjithatë zvarritja e tij si të ishte nga kapot e bandave më të rrezikshme në Shqipëri, ishte shenja e parë e madhe e ngarkesës së tejkalimit të së drejtës, dhe, mbi të gjitha, e krijimit të një force brenda shtetit, që , po vendosej mbi institucionet e shtetit. Po i përdhoste ato, duke përcjellë kumtin se, tani e tutje, bazat e ndëshkimit janë vetëm në duart e tyre dhe askush nuk mund të jetë mbi to. Ishte mbivendosje e një pjese të pushtetit të pavarur mbi pushtetet e tjera. Miti i të paprekshmit dukej sikur po binte, ndërkohë ngrihej miti tjetër, po aq i dëmshëm, i nëpërkëmbjes së të drejtës njerëzore.
Rasti Veliaj ishte edhe më tej i rëndë. Askush, as sot e kësaj dite, nuk e di me saktësi se cilat akuza rëndojnë mbi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Mendoj se as vetë prokurorët që ngritën dosjen nuk e dinë saktësisht. Është krejt e mundur që, deri sa ata vetë të binden dhe të gjejnë arsyen përse zoti Veliaj është i burgosur, ky do të vazhdojë të qëndrojë aty, duke qenë gjithnjë nën hetim. Absurdi nuk ka arsye dhe nuk mund të përcillet aq lehtësisht me krijimin e psikozës se, kryebashkiaku i pa bugosur mund të shprishë provat, një metodë që, si e kam cilësuar në një shkrim tjetër, ngjan shumë me Gjykatën dhe Prokurorinë Specale të Kosovës, me qendër në Hagë, që, pasi bëri arrestimet e disa nga liderët e UÇK_së, filloi të hetojë dhe të shkruajë akuzën, gjë që zgjati më tepër se një vit e gjysëm.
Arrestimi i zotit Veliaj, i përgatitur edhe filmimi i këtij çasti, përkulja e arsyes dhe e shtatit përballë frymës dhe figurave të opozitës, përfshirja në këtë institucion të njerëzve që ishin militantë të flakët të opozitës, dalja e dosjeve të veçanta jashtë saj, direkt në dyert e opozitës, edhe kur për to ka vendime të prera të mos publikimit, krijimi i një ndërlidhje mes analistëve dhe media opozitare me vetë strukturën e posaçme, konfliktet e interesit të krijuara në vite apo pritja e një kohe për të ndëshkuar Kryetarin e Bashkisë, qëndrimet autokrate dhe përçmuese në sallën e gjyqit, dalja e të dhënave dhe fotove jashtë kësaj salle në duart e opozitës, të gjitha së bashku dhe secila veç e veç, me dashje tashmë, sepse nocioni “ pa dashje” ka rënë prej kohësh, ka krijuar hendekun e parë, jo thjeshtë mes shumicës qeverisëse dhe SPAK, por mes këtij të fundit dhe njerëzve që e kanë besuar si një forcë e ligjshme, e rreptë, por e drejtë në vetë sistemin e kalbur.
Të dhënat e fundit të përgjimeve pa fund, kudo e mbi këdo, kanë krijuar aliazhin e frikshëm të një sistemi të shkuar, që sundon mbi ndërgjegjen njerëzore dhe mbi të drejtën e ligjshme; fakti që në këtë vorbull janë vënë edhe figura të rëndësishme të drejtësisë apo politikës, raste që duhet të kenë dyshime të forta se pas tyre fshihen vepra të rënda penale, po ashtu, krijon mitin e rremë, por gjithësesi të frikshëm se mbi jetët njerëzore është i plotfuqishëm SPAK, dhe vegla e tij e bindur është GJKKO.
Në më pak se 20 dite besimi ndaj këtij instiotucioni ka pësuar luhatje të habitshme dhe të papritur. Në të shumtën e rasteve kjo nuk ka të bëjë me “ dialogun kundër vënës” mes qeverisë dhe SPAK apo institucioneve më të larta të sistemit, por, mbi të gjitha , mes njerëzve dhe vetë SPAK.
Sepse është e natyrshme të pyetet : përse SPAK apo KLP apo KLGJ janë të shushatur dhe rrinë si pulat në një ditë shiu përballë agresivitetit të liderit të opozitës apo të tjerëve pranë tij, që i mallkon, i linçon, i kërcënon, ndërsa përballë mendimit të shumicës për të korigjuar atë që është e arsyeshme dhe e drejtë , menjëherë shpupulohen, marrin zjarr, futen në debat pa fund dhe kërcënojnë, sikur të jenë institucion mbi shtetin dhe mbi të drejtën?
Është e natyrshme që , disa prej tyre, e shkuara i tërheq zvarrë nga opozita, me të cilën jo vetëm kanë qenë të lidhur, por edhe ku janë shënuar mjaft nga mëkatet e tyre të së djeshmes. Kjo ërheqja nga pas është në fakt zvarritje dhe dobësimi i sistemit të drejtësisë.
Me dashje tashmë, e jo pa dashje, SPAK po merr tiparet e një force të tretë politike, që , edhe pse nuk ka të drejtën të zgjidhet, përsëri mund të vendësë shumë gjëra në këtë rrugë të gjatë. Disa nga kolegët e tyre të djeshëm, si Gjin Gjoni e të tjerë, kur perdja e drejtësisë ra, ngritën shpejt siparin e politikës dhe u bënë pjesë e primareve të opozitës. Është njëri ndër shembujt që dëshmon se nën petkun e të pavarurit vazhdojnë të rrinë mbjelljet e politikës, që, duke i dërguar në sistemin e drejtësisë, i lejoi të bëhen të pasur, arrogantë, të ngopur me vetveten, por, ama, ua shënoi mëkatet dhe ua tund defterët e së djeshmes.
Arrestimi i Veliajt, ende në hetim, është shenja më e dukshme e bërjes pjesë të SPAK në politikë. Tashmë, askush nuk ka dyshim për këtë.
Edhe thirja apo arrestimet e mëpasme, pikërisht nga zona ku vota do të jetë e ndarë , ndoshta nga një dorë pëlqimesh, të shpie drejt këtij mendimi.
Ndërkohë, gjithçka që është thënë e po zvarritet do të vazhdojë të ketë këtë gjendje.
21 janari do ta kalojë përtej 11 majit, edhe si fillesë e hetimit, pastaj do të harrohet; Gërdeci, ku jo këto që po gjykohen tani, por ata që ishin mbi to, as nuk mund të thirren në një hetim të zakonshëm, grushti i shtetit i shtatorit 1998 as nuk është fare temë, konçensionet e mëdha të periudhs 2005 – 2009 as nuk janë ngritur ndonjëherë, rruga se si u pasurua dhjetëra politikanë, gjykatës, prkurorë, lidhjet e tyre me bandat, as nuk janë temë e SPAK, edhe pse mund të ketë mjaft indicie shumë më serioze se sa letra e krijuar brenda e saj e “ Nesti Angonit”; ndërkohë bëhet Vetingu 20 vjeçar i kryebashkiakut të Tiranës, për të cilin votuan mbi 250 mijë njerëz.
Mos u çudisni nëse në 20 ditë SPAK humbi rreth 20 për qind të mbështetjes së njerëzve, vetë kjo stukturë u fut në këtë rrugë. Ndaj, duan apo nuk duan, dhe me siguri që nuk duan, është koha që të mendohet seriozisht, jashtë deshirës së SPAKJ, që pas, një sprove disa vjeçare, me të metat dhe të mirat e saj, të bëhet ajo që është e domosdoshme dhe që ndodh kudo në botë: rivlerësimi, përmirsimi dhe forcimi i këtij institucioni, duke pasur parasysh se askush nuk është mbi ligjin. As vetë ato.