Dikur, para goxha vitesh, na thuhej se në Shqipëri media transmeton dy gjysmë të vërteta, gjysmën e njërës palë politike dhe gjysmën e palës tjetër. Aritmetika e së vërtetës në fakt nuk është njësoj si aritmetika e zakonshme dhe dy gjysma të vërtetash nuk përbëjnë kurrsesi një të vërtetë. Por situata është bërë halucinante kohët e fundit kur, jo vetëm që nuk ka më gjysmë të vërteta, por shumë të pavërteta, në nivel deri të pabesueshëm dalin çdo ditë nga goja e kryeministrit Edi Rama, duke sfiduar si ligjësitë e logjikës ashtu edhe ato të natyrës.
Dhe po kështu, një numër të pavërtetash të pabesueshme dalin nga e ashtuquajtura opozitë dhe media opozitare, por këta të fundit llomotisin brenda poçes së vet të vogël. Për shembull, pak ditë më parë, një media e opozitës akuzoi një figurë tjetër të opozitës se ka përfituar nga USAID shifrën e pabesueshme të 31 milionë dollarëve. (Sa për informacion, rroga e presidentit të Shteteve të Bashkuara është vetëm 400 mijë dollarë të mjera, një qindarkë në krahasim me shumat e parave që thuhet se përfitohen nga grantmarrësit e USAID).
Por nëse këtë punën e 31 milionë dollarëve të përfituara nga gruaja e Lulzim Bashës ka rastisur që nuk e keni dëgjuar, kjo ka të bëjë me faktin altoparlanti i opozitës është i vogël, ndryshe nga ai i qeverisë.
Për shembull, në tre javët e fundit që nga arrestimi i aleatit të tij, Erion Veliaj më 10 shkurt, në mënyrë të përsëritur Rama thotë se ai është “arrestuar pa gjyq” ose sugjeron, duke injoruar në mënyrë të paimagjinueshme shkaqet që sollën arrestimin e tij se “ai mund të ishte gjykuar në gjendje të lirë”. Veliaj në fakt u arrestua me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të gjykatës. Gjykata konfirmoi masën e sigurisë arrest me burg, pasi argumentoi gjerë e gjatë rrezikun e prishjes të provave apo të arratisjes së personit nën hetim.
Dhe pastaj kryeministri, në mënyrë sfiduese ndaj logjikës vetëprovuese të aritmetikës, deklaron, se fjala vjen, në Gjermani gjendja ekonomike është më e keqe se sa në Shqipëri apo se në Shqipëri, rrogat janë po aq të larta sa në Greqi apo që taksat në Shqipëri janë më të ulëta se sa në Greqi.
Të thuash që kafeja është më e mirë në Shqipëri, kjo është çështje shijesh. Të thuash se rroga në Shqipëri është e barabartë me Greqinë, kur në fakt, rroga minimale në Greqi është 830 euro neto dhe në Shqipëri është 355.2 euro është tjetër gjë. Dhe të thuash që ekonomia gjermane, me PBB për frymë 55 mijë euro në vit është keq, ndërsa ekonomia e Shqipërisë, me PBB për frymë, sipas paritetit të fuqisë blerëse, sa një e katërta e Gjermanisë, është mirë, kjo gjithashtu është diçka që shkon përtej shijes personale dhe sfidon forcën vetëprovuese të aritmetikës.
Por publikimi më 24 shkurt në rrjetet sociale dhe në një numër të pafundëm mediash të një dokumenti nga ana e Veliajt, dokument i përshkruar si “procesverbal” në të cilin shkruhet se prokurori i çështjes i është drejtuar atij me fjalën “ndyrësirë” si dhe publikimi me të njëjtën formë të thatë të një njoftimi për shtyp të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që thoshte se ky procesverbal është i pavërtetë, ishte ndoshta rasti më flagrant por kurrsesi jo i vetmi i të pavërtetave që të fyejnë inteligjencën por që, në epokën e post-truth apo post-të-vërtetës, duket se janë një politikë e vlefshme. Pasi gjykata deklaroi se “procesverbali” në fjalë është i pavërtetë, sërish një numër i madh mediash publikuan një regjistrim zanor përmes të cilit, mbështetësit e Veliajt mund të jenë të bindur se dëgjojnë fjalën “ndyrësirë”, ndërsa të tjerët, mundet me po kaq bindje të thonë se kjo fjalë nuk ekziston në atë regjistrim audio.
Për çdo ditë shqiptarëve u serviren në të njëjtën mënyrë të thatë si gënjeshtrat më të mëdha, ashtu edhe të vërtetat më të vetëprovueshme. Me të njëjtin tonalitet u thuhet se 2 plus 2 bëjnë katër dhe po në të njëjtin tonalitet të njëtrajtshëm u thuhet: 2 plus dy bëjnë njëzet e dy. Ose u thuhet se njëra palë thotë se po bie shi, ndërsa pala tjetër thotë se nuk po bie shi.
Ndërsa media ka degraduar në një numër të papërfillshëm gazetarësh dhe qeveria është bunkerizuar duke mos lejuar akses në informacion publik të çfarëdolloji dhe duke prodhuar vetë “lajmet” që shpërndahen në të gjitha mediat, qofshin këto edhe nga të paktat e radhitura nga ana e opozitës, njëtrajtësia e tonalitetit të përdorur për të përcjellë si gënjeshtrat, ashtu edhe të vërtetat, e bën dallimin mes të dyjave praktikisht të parëndësishëm.
Çdo ditë, kryeministri i vendit lejohet të nxjerrë nga goja çfarë t’i dojë qejfi dhe pjesa dërrmuese e medias, ndoshta 95% e të gjithë mjedisit informativ të vendit, e lejon që ai t’ia përcjellë publikut këto që nxjerr nga goja, pa marrë parasysh nëse ajo që ai thotë është e mbështetur në logjikë apo e sfidon logjikën, nëse ajo që ai thotë bën sens apo nuk bën sens.
Mungesa e rolit të medias si ballafaquese e fjalëve që nxjerrin politikanët nga goja bën të mundur gjithashtu që Rama në të njëjtën kohë të krahasojë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me regjimin diktatorial të Enver Hoxhës dhe po ashtu të thotë se nuk po e sulmon drejtësinë.
Sipas Ramës, kryetari i bashkisë është “ndaluar pa gjyq”, ndërsa ai nuk është se po e sulmon SPAK, por “po kërkon standarde demokratike”. [Link]
Më tej Rama argumenton se sipas mendimit të tij, kryebashkiaku mund të ishte hetuar në liri ndërsa ai dhe vetë kryebashkiaku pretendojnë, pa dhënë fakte, se janë viktima të një mediaje agresive, e cila, supozohet, ia bën gjyqin në mënyrë të padrejtë atyre. Rama u ankua së fundmi edhe për “intimidim të dëshmitarëve”, supozohet, nga prokurorët e SPAK dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit [link] ndërsa ankohet se Veliajt po i shkelet parimi i “prezumimit të pafajësisë.”
Rama nuk mjaftohet me sulmin ndaj prokurorëve por, në një status në Tëitter më 27 shkurt, cilësoi si “të sëmurë,” “kokëbosh” apo “të paguar” një numër ekspertësh të pyetur nga një gazetar për një opinion mbi sulmet që Rama po i bën drejtësisë në rastin e Veliajt. Ekspertët në fjalë, juristë të njohur, argumentuan se sulmet e Ramës ndaj drejtësisë dukej se synonin të minonin besimin e shoqërisë te drejtësia që vetë Rama ka votuar.
Mesazi i kryeministrit u transmetua në një pafundësi me media [link] të cilat nuk morën mundimin as të thonë se cilët ishin opinionet e këtyre ekspertëve që Rama hodhi poshtë apo se cilët ishin këto ekspertë të cilët, sipas kryeministrit, larg të qenit të pavarur, duhet të jenë ose “të sëmurë,” ose “kokëboshë”, ose “të paguar”. Me një fjalë, në vend nuk mund të ketë njerëz të pavarur që kanë një opinion të pavarur. Në botën e post-truth-it çdokush e ka një interes të fshehtë, asgjë nuk del nga një interes publik më i lartë dhe kushdo që nuk ka interes detyrimisht duhet ta japë opinionin kritik nga budallallëku, ose sepse është i sëmurë.
Arsyeja se pse Rama dhe Veliaj janë në gjendje të sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët publikisht, i pari duke u ankuar për “standarde demokratike” dhe i dyti, duke vajtur dhe duke e përshkruar prokurorin si “lunatik” dhe “pervers”, është se pjesa dërrmuese e medias u mundëson atyre të flasin çfarë të duan pa kurrfarë kontrolli faktesh dhe pa kurrfarë ballafaqimi. Dhe arsyeja se pse pjesa dërrmuese e medias e bën këtë, duke i shërbyer interesave të Ramës dhe Veliajt në dëm të interesit publik, dukshëm qëndron te lidhjet e shumëfishta mes koncesioneve dhe medias.
Sa për t’i dhënë faktet ashtu siç janë, Veliaj nuk është arrestuar pa gjyq. Një seancë gjyqësore standarde urdhëroi arrestimin e tij dhe një e dytë, gjatë së cilës ne të gjithë pamë protestuesit pro Veliaj duke qëndruar kërcënueshëm para gjykatës, ndërsa policia “nuk qe e informuar” për praninë e tyre, vleftësoi masën e sigurisë arrest me burg për të dhe ndryshoi masën e sigurisë, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje për bashkëshorten, duke pranuar arsyetimin se interesi më i lartë i fëmijës së çiftit të hetuar prevalon.
Një vendim i arsyetuar u firmos nga një gjyqtar. Në vendim, gjyqtari Erion Bani argumenton gjërë e gjatë se pse ai mendon se masa e sigurisë arrest me burg është e duhura në këtë rast. Sipas standardeve demokratike, Veliaj ka të drejtë dhe e ka ushtruar të drejtën të apelojë vendimin e shkallës së parë.
Që nga arrestimi i tij mbi tre javë më parë, Veliaj vijon të publikojë pa kurrfarë ballafaqimi me faktet çfarëdolloj fantazie që ai mendon se mund ta nxjerrë si viktimë të pafajshme të ndonjë komploti prokurorësh perversë, ndërsa Rama po mundohet me stil të kalojë nga historia e Veliajt në fantazi të tjera, nga krijimi i një shteti Bektashi te mbyllja e Tik Tokut, një realitet virtual në të cilin duhet të jetojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve në këtë sistem post të vërtete, apo post-truth, parimi i të cilit është që logjika formale dhe e vërteta nuk kanë rëndësi për sa kohë mjetet e shpërndarjes janë në dispozicion.