-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Rexhep Qosja: Bëma e jashtëzakonshme

Kryesoret

Fjala në Akademinë përkujtimore

me rastin e 2 vjetorit të rënies së Adem Jasharit,

në Teatrin Kombëtar në Prishtinë,

më 5.3.2000

ADEM JASHARI

BËMA E JASHTËZAKONSHME

E shënojmë dyvjetorin e vrasjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit.

E shënojmë, njëkohësisht, dyvjetorin e vrasjes së babait të tij, Shabanit dhe të nënës, Zahide; të gruas, Adiles e të djemve të tij; të vëllait Hamzës me gruan Feriden, me djemtë e vajzat; dhe të gruas, Zarifes, të djalit e të vajzave të vëllait, Rifatit.

E shënojmë dyvjetorin e vrasjes së 20 anëtarëve të familjes së madhe të Shaban Jasharit, kurse të 55 anëtarëve të fisit Jasharaj!

Është ky përvjetor i dhembjes sonë të madhe dhe i krenarisë sonë të gjithmonshme.

Është ky përvjetor i jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi – një përvjetor i jashtëzakonshëm, madje, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar.

Ajo që Adem Jasharin e bën figurë historike është forca e vullnetit, është karakteri heroik, është burrëria legjendare, është bëma e pazakonshme, në të cilën njeriu e ka kaluar masën e njeriut.

Adem Jashari nuk ka kryer fakultet të historisë, por historinë e ka kuptuar më mirë se shumë nga vijuesit e fakulteteve të tilla.

Historinë e ka mësuar aty ku gjithmonë më së miri është kuptuar historia: në  dhembjet e popullit, në këngën, në kallëzimin, në traditën e popullit.

Adem Jashari nuk ka kryer akademi ushtarake ku mësohet për luftërat, por luftën e ka kuptuar më mirë se shumë nga vijuesit e akademive të tilla.

Luftën e ka mësuar aty ku gjithmonë më së mirë është kuptuar lufta: në virtytin, në dinjitetin, në lavdinë, në përkushtimet liridashëse si kulte të kultivuara në vendlindjen e tij heroike – në Drenicë.

Aty ai ka mësuar se më mirë është të vdiset ndershëm – për liri se të jetohet turpshëm – në robëri.

Ai, sigurisht, nuk e ka lexuar Kartën e OKB-së, në të cilët flitet për të drejtën natyrore të vetëmbrojtjes individuale e kolektive, por i pari e mori pushkën për ta mbrojtur atë të drejtë të popullit të vet.

Pikërisht pse i ka mësuar ku duhet dhe i ka kuptuar kur duhet e si duhet edhe historinë, edhe luftën, Adem Jashari çohet në luftë kur njerëzit tanë politikë partiakë bëjnë luftë kundër vetëmbrojtjes së popullit.

Ai çohet në luftë kur këtu shkruhet tis fjalësh himnizuese për të ashtuquajturën “qëndresë durimtare”!

Ai me shokët e tij, Samiun, Ilazin, Sahitin, Fadilin, Jakupin, Nuredinin, Zenunin formon celulën e parë të UÇK-së kur këto tri shkronja bashkë nuk guxon kush t’i shqiptojë e lëre me t’i shkruajë në Kosovë.

Në kundërshtim me të gjitha rregullat e lojës politike botërore, ai me shokët e tij vendos të sfidojë një armatë, një shtet, një opinion kombëtar, një opinion botëror.

Ai ka ndjenjë aq larghedhëse e instinkt aq paravajtës saqë para të gjithëve vendos të çohet në luftë kundër bartësve të një ideologjie pushtuese dhe kundër zbatuesve të një politike shtetërore terroriste në Kosovë, në kohën kur të tjerët këtu dhe në botë kërkojnë marrëveshje me ta.

Me një automat në dorë dhe me disa bomba në brez, ai me shokët e tij filluan ta bëjnë të pamundurën dhe, vërtet, e bënë të pamundurën – e ndërruan historinë e Kosovës.

Historia u dha të drejtë.

Ai me ta, me ata shokë, bëhet rrufe e madhe ndriçuese para motit të madh.

Kjo që kemi ne sot – Kosovën pa armën dhe pa administratën e pushtuesit serb, kjo ka filluar në zemrën e madhe të Adem Jasharit dhe është arritur me heroizmin vetëflijues të tij, të familjes së tij, të shokëve të tij, të UÇK-së dhe, më në fund, me ndërhyrjen e NATO-s.

Të gjithë popujt kanë figurat e tyre heroike që ua shënojnë përvjetorët.

Edhe ne i kemi figurat tona heroike e historike: Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Abdyl Frashërin, Hasan Prishtinën, Fan Nolin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin.

E të tjerë.

Në qoftë se figurat heroike nuk janë të rralla as te popujt të ndryshëm, as në kohë të ndryshme, të rralla janë familjet siç është familja e Shaban Jasharit.

Bëma e Adem Jasharit është aq më e pazakonshme, sepse është njëkohësisht bëmë e familjes së tij.

Kallëzimi për të, prandaj, duket si një kallëzim imagjinar, si një nga ato kallëzimet e lashta, legjendare, në të cilat njeriu e kalon masën tokësore dhe përjetohet si mbinjeri.

Dhe, pse të mos duket i tillë kallëzimi për të?

Po ajo është familje që Kosovës ia fali të gjitha, ama të gjitha.

Ajo është familje që Kosovës i fali tokë e shtëpi, burra gra e fëmijë.

Ajo është familje që Kosovës ia fali të gjithë brezat: gjyshërit e gjyshet, baballarët e nënat, nipërit e mbesat.

Ajo është familje që Kosovës ia fali gëzimet dhe shpresat, të sotmen dhe të nesërmen e vet.

Ajo është familje që Kosovës ia fali, ashtu, edhe lumturinë e atësisë e të amësisë së paarrirë të të rinjve e të fëmijëve të vet: të Fitimit 17-vjeçar, të Besimit 16-vjeçar, të Kushtrimit 13-vjeçar e Igballit 11-vjeçar, të Blerimit 12-vjeçar, të Selvetes 20-vjeçare, të Hidajetes 18-vjeçare, të Afetes 17-vjeçare, të Valdetes e të Liries 14-vjeçare, të Igballes 11-vjeçare, të Fatimes 8 dhe të Blerinës 7-vjeçare!

O!O!O! Ajo është familje që me përmasën e pamasë të dhembjes tragjike e të vetëflijimit heroik e lëkund çdo masë të ndjenjës e të mendimit njerëzor!

Ajo është familje – histori.

Në tri ditët e tragjedisë së saj heroike ngjishen 90 vjetët e Kosovës nën pushtimin e Serbisë: ngjishen vuajtjet, përpjekjet, burgjet, vrasjet, masakrat, tragjeditë dhe heroizmat 90-vjeçare të popullit shqiptar në këto troje!

Dhe, me këto tri ditë, që ngjeshin 90 vjet, me këtë heroizëm aq të stisur tragjikisht, të shfaqur në kundërshtim me të gjitha ligjet e jetës së zakonshme, kjo familje i sjell ngritje madhështore shpirtit, moralit, vetëdijes, historisë së popullit shqiptar.

Dhe, kjo bëmë e ky ndikim bashkëmbartin ngritjen e familjes së Shaban Jasharit, që ka lindur e rritur Adem Jasharin, të familjes – Monument historik kombëtar.

Në këtë Monument vijnë sot shqiptarë e të huaj që të shohin ku ka filluar të ndërrohet historia e Kosovës; që të shohin sa i përbindshëm ishte sundimi pushtues serbë; që të shohin sa vetëflijuese ishte vendosmëria liridashëse e popullit shqiptar.

Në këtë Monument vijnë sot shqiptarë e të huaj që të shohin ku dhe si e rigjeti Kosova dinjitetin, fuqinë dhe ardhmërinë e vet.

Në këtë Monument do të vijnë brezat tonë të ardhshëm që të shohin e ta mësojnë historinë: që të shohin e të mësojnë me çfarë dhembjesh të fundbotshme tragjike e me çfarë heroizmash mbinjerëzore është bërë e lirë Kosova.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit