Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për konfiskimin e pasurive të Armando Doçajt dhe personave të lidhur me të. Pasuritë e konfiskuara përfshijnë shuma monetare në llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente dhe njësi shërbimi.
Gjykata ka hequr masën e sekuestrimit dhe ka urdhëruar kthimin e disa pasurive të tjera, ndërsa shpenzimet hetimore janë ngarkuar tek Armando Doçaj. Ankimet mund të bëhen brenda 10 ditëve.
Njoftimi:
- Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 28.04.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskim i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme për të cilat Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 12, datë 04.05.2021 ka vendosur sekuestrimin e tyre, kundër shtetasit Armando Doçaj dhe personave të lidhur Pjetër Doçaj, Roberta Doçaj dhe Shkëlzen Doçaj.
-
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenin 112 të K.Pr.Penale dhe nenet 3, 7, 10, 21, 22, 24, 27 dhe 28/1 të Ligjit Nr. 10192 dt. 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, me vendimin Nr. 2, datë 07.03.2025 vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
Shuma monetare prej 1976 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit Armando Pjetër Doçaj.
Shuma monetare prej 551 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të Roberta Mhill Doçaj.
Shuma monetare prej 1000 euro e ndodhur në llogarinë e kursimit me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit A.D.
Shuma monetare prej 456 euro e ndodhur në llogarinë (karte e parapaguar) me Nr. **** në emër të shtetasit K.D.
Pasuri e paluajtshme Nr. **** Z.K. **** pasuri e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2, me adresë, ****
Apartament me sipërfaqe 122.58 m2, me adresë ****, përfituar sipas kontratës për kalim të drejtash pronësie dhe premtim shitje Nr. Rep./kol. **** datë **** me palë blerëse shtetasin Armando Pjetër Doçaj dhe palë shitëse shtetasit E.B dhe E.B. me çmim blerje në shumën 20.000 euro.
Heqjen e masës parandaluese me karakter pasuror atë të “sekuestrim i pasurisë” e caktuar me vendimin nr. 12, dt. 04.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës sëParë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizua dhe kthimin e pasurisë së mëposhtme personave që ju takon: Apartament me sipërfaqe 116.83 m2, përfituar sipas kontratës së sipërmarrjes Nr. Rep./kol. ****, datë **** lidhur midis palëve: shoqëria “XH&M” Shpk në cilësinë e investitorit dhe Pjetër Ndue Doçaj me cilësinë e porositësit, me çmim 46 732 euro.
Urdhërohet sekretaria e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ti dërgojë një kopje të vendimit, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Agjencisë për Administrimin e Paurive të Sekuetruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave për ekzekutimin e tij.
Shpenzimet hetimore dhe ato procedurale gjyqësore i lihen në ngarkim shtetasit Armando Doçaj.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 10 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Tiranë, më datë 07.03.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar