Kryetari i PD-së, Sali Berisha i qëndroi thirrjes për protestë pas mbylljes së Tik Tokut.
“Sigurisht duhet ta pranojmë, TikToku është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin.
Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.
Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë. Ai tha se i ndjeri Martin Cani u vra nga shoku i tij sepse u zunë në TikTok.
Por kompania deklaroi botërisht se as Martini, as shoku i tij nuk kishin llogari në TIkTok. Kjo është arsyeja pse ne protestojmë. Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi.
Ky bënte atë që bënte Enver Hoxha me Zërin e Amerikës që i vinte zhurmues në 4 anët, apo me televizionet italiane që u vinte zhurmues në mënyrë që njerëzit të mos dëgjonin të vërtetat nga këto mjete” tha ai.
Sali Berisha është shprehur se kryeministrin Edi Rama e presin një seri procesesh gjyqësore, ku sipas tij më kryesorja është afera e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.