Sot është e vështirë të imagjinosh se çfarë do kish bërë ndryshe Putini nëse do ish zgjedhur president i SHBA-ve në vend të Trumpit. Poshtërimi i Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë dhe deklarata se luftën e filloi Ukraina e diktatorit Zelensky (dhe jo Rusia e “demokratit” Putin) janë edhe më ekstreme se propaganda Ruse.
Ndërkohë njohja e territoreve që Rusia ka pushtuar në Ukrainë, mohimi apriori i antarësimit të Ukrainës në NATO dhe refuzimi i çfarëdolloj garancie sigurie konkrete për Ukrainën nga ana e SHBA-ve, sidomos përballë një Rusie të fuqizuar ushtarakisht, është vetë përkufizimi i politikës së jashtme Ruse në Ukrainë sot.
Po të shtojmë këtu dobësimin e vazhdueshëm të NATO-s, luftën tregtare që Trump ka filluar me Kanadanë dhe Meksikën, bashkë me sulmet e tij ndaj Bashkimit Evropian si një institución anti-amerikan, atëherë mund të konkludojmë se politika e jashtëme amerikane sot është tërësisht në sinkron me politikën e jashtëme të Putinit.
E njëjta harmoni sundon edhe në politikën e brendëshme amerikane që gjithnjë e më tepër po merr tiparet e putinizmit. Spastrimi masiv i administratës publike amerikane nga çdo profesionist në çdo nivel për ta mbushur me besnikët më të verbër të trampizmit po ndërton në SHBA një administratë publike identike me administratën publike të Putinit në Rusi, ku bindja ndaj shefit i mbivendoset ligjit dhe profesionalizmit.
Ashtu sikurse aleanca e hapur e Trump me plutokratët kryesorë të ekonomisë amerikane, si Elon Musk të kujton aleancën e Putinit me oligarkët e Rusisë. Ata e mbështesin hapur Putinin në shkëmbim të politikave publike që dizenjohen për pasurimin e tyre.
Një nga politikat e para të Trump ishte rritja e tarifave të importeve kineze, ndër to edhe makinat elektrike. Përfituesi kryesor i kësaj politike ishte Elon Musk, prodhues kryesor i makinave elektrike ne SHBA dhe donatori kryesor i fushatës elektorale Trump.
Menjëherë pas shpalljes së fitores së Trump vlera e aksioneve të kompanisë së Elon Musk, Tesla, u rrit me 27% në bursën amerikane, që do të thotë një rritje prej 1 trilion dollarësh në vlerë monetare.
E thënë thjesht, Elon Musk harxhoi 280 milion dollar në fushatën e Trump dhe në shkëmbim fitoi 1 trilion dollar nëpërmejt politikave që favorizojnë direkt kompaninë e tij.
E megjithatë qeverisja në funksion të oligarkëve që e mbështesin nuk është as aspekti kryesor i putinizmit amerikan sot. Akoma më tronditës është fakti që Trump ka deklaruar publikisht se ai kurrë nuk do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse ai nuk është fitues. Ende nuk ka pranuar humbjen e zgjedhjeve në vitin 2020 kundër Joe Biden.
Probabiliteti që ai, ose pasardhësi i tij, do të pranojë humbjen elektorale dhe do ta lërë paqësisht pushtetin në zgjedhjet e radhës është pranë zeros. Sidomos sot kur trampizmi po vë gjithnjë e më shumë nën kontroll jo vetëm gjygjësorin, prokurorinë, agjencitë e sigurisë kombëtare (FBI, NSA, dhe CIA), ushtrinë dhe të gjithë administratën publike.
Kronologjia/ Si po e afron Trump SHBA-në me Rusinë
Grushtin e shtetit që Trump nuk arriti ta bënte në 6 janar të vitit 2021 ai po e bën sot. Është një grusht shteti që synon përjetësimin e trampizmit në pushtet duke e kthyer demokracinë amerikane në një farsë autoritare.
Ky është në fakt edhe thelbi i putinizmit. Ai ndërton një demokraci farsë ku zgjedhjet nuk kanë kuptim, ku opozita eleminohet në mes të ditës dhe ku Putini është vetë ligji sepse ka nën kontroll, oligarkët, administratën publike, mediat dhe gjygjësorin.
Ky është sistemi politik që ëndërron dhe që po ndërton Trump në Amerikë sot. Natyrisht mbetet për tu parë nëse do t´ía dalë, pasi Amerika nuk është Rusia. Tradita, kultura, mediat dhe institucionet demokratike amerikanë janë më solide dhe demokratike se ato ruse.
E megjithatë nuk duhet të injorojmë suksesin e trampizmit për të nënshtruar tërësisht Partinë Republikane të SHBA-ve, një nga më të vjetërat dhe më demokratiket në botë, për të kapur Gjykatën Supreme Amerikane, një nga më prestigjozet në botën demokratike, apo për të organizuar një grusht shteti në mes të Washingtonit dhe më pas për tu rizgjedhur president.
Janë të gjitha veprimë që të bëjnë të mendosh se në presidencën e SHBA-ve sot kemi një Putin. Jo sepse Putini e ka kapur Trumpin me ndonjë filmim kompromentues me ca prostituta në ndonjë hotel të Moskës, sikurse pretendojnë zërat konspirativ.
Ndjekësit e Trump e kanë të qartë se ai shkon me gjithfarë prostitutash dhe pornostaresh. Ashtu sikurse nuk kanë asnjë dyshim që ai ka mashtruar majtas e djathtas, në familje dhe në biznes. Ndaj shantazhe të tilla nuk pinë ujë në rastin e Trump. Trampistët e dinë shumë mirë që Trump është kokrra e maskarait, por ata e mbështesin sepse ai është maskarai i tyre.
Ai është autoparlanti politik i një ideologjie të esktremit të djathtë që kombinon nacionalizmin ksenofobik, homofobik dhe racist, fanatizmin kristian dhe anti-liberalizmin. Ai i jep zë pakënaqësive të shumta me rendin kozmopolit neoliberal duke bërë bashkë racistët e bardhë, fanatikët e krishterë, bilionerët që kanë përfitur nga rendi neoliberal si dhe klasën punëtore dhe të mesme amerikane që ka qenë viktima kryesore të këtij rendi.
Është kjo ideologji që e lidh Trumpin dhe Putinin, sikurse edhe me të gjitha forcat e ekstremit të djathtë në Evropë. Emëruesi i përbashkët i Trampizmit në SHBA, Orbanizmit në Evropë dhe i Putinizmit në Rusi është denoncimi i liberalizmit, i pluralizmit fetar, seksual dhe gjinor, i shekullarizmit dhe i përzierjes racore apo etnike që, sipas tyre, ka çuar në dobësimin dhe degjenerimin e kombit, në degradimin e kulturës kombëtare dhe të vlerave njerëzore dhe familjare.
Përballë këtij degradimi ata ofrojnë kthimin tek një racë e bardhë, e krishterë, heteroseksuale, burrërore dhe mashkullore që udhëhiqet nga një burrë i fortë që përfaqëson këto vlera, si Putini, Orbani apo Trumpi. Janë këta burra që ruajnë nderin dhe identitetin e kombit përballë rrezikut liberal që i bën fëmijët gey ose trans, shkatërron identitetin e kombit duke përzier racën, fenë dhe kulturën tonë qumësht të bardhë me ngjyra inferiore.
Përballë përkufizimit Iluminist të Perëndimit si demokraci, liri individuale, barazi përpara ligjit, të drejtat e njeriut dhe kufizim i pushtetit, e djathta ekstreme ofron një përkufizim etnik, racor dhe fetar të Perëndimit që reduktohet tek Krishtërimi i Testamentit të Vjetër dhe tek raca e bardhë. Ky është perëndimi i Kryqëzatave të mesjetës, ku nuk ka hapësirë për tolerancë fetare, seksuale, racore apo për kufizim të pushtetit. Është Perëndimi nga ku nuk lind dielli por lideri.
Natyrisht Perëndimi që ne kemi idealizuar si demokraci, liri, barazi përpara ligjit, arësye dhe të drejtat e njeriut ka ekzistuar më shumë si një ideal se sa si një realitet. Kolonizimi i botës, racizmi dhe luftërat shpesh kanë qenë produkte direkte të Perëndimit ose të hipokrizisë së tij.
E megjithatë, të paktën që nga Lufta e Dytë Botërore, Perëndimi nën lidershipin e SHBA-ve, është përpjekur të implementojë në rendin botëror, të paktën teorikisht, idealet e demokracisë, lirisë, sovranitetit, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Një rend që synonte mbrojtjen e minoriteteve dhe ku ligjin nuk e bën thjesht forca por edhe parimet. Një arkitekturë e tërë institucionale që nga OKB-ja, BE-ja deri tek NATO është ndërtuar në funksion të këtij ideali.
Ky rend sot po çmontohet me shpejtësi nga Trump, si brenda edhe jashtë SHBA-ve. Parimet e demokracisë, lirisë, pluralizmit dhe tolerancës brenda SHBA-ve po zëvendësohen me nacionalizmin ksenofobiko-racist, me autoritarizmin dhe me fanatizmin fetar. Ndërkohë rendi liberal jashtë SHBA-ve po zëvendësohet me një rend imperialist ku ligji i forcës nuk ndesh asnjë kufizim parimor, moral apo institucional.
Demokracia Amerikane, sipas trampizmit, nuk rrezikohet as nga korrupsioni, as nga kapja e politikës nga oligarkët dhe as nga autoritarizmi. Ajo rrezikohet nga liberalizmi kozmopolit anti-kristian, nga humbja e identitetit kombëtar (lexo reduktimi i racës së bardhë të krishterë), nga humbja e identitetit gjinor dhe familjar, dhe sidomos nga emigrantët me ngjyrë dhe nga gjinia trans.
Nga pikëpamja trampiste rendi ndërkombëtar liberal ka dëmtuar rëndë interesat dhe identitetin kombëtar të Amerikës, duke e futur atë në luftra dhe aleanca pa kuptim në emër të idealeve boshe të demokracisë apo të drejtave të njeriut. Ndaj duhet ndërtuar një rend i ri ku SHBA-të mund të realizojnë çdo interes pa kufizimet institucionale, parimore apo ligjore të rendit liberal ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për një rend të ri thellësisht imperialist ku forca nuk njeh asnjë kufizim. Nëse SHBA-ve i duhet Groenlanda ato thjesht mund ta blejnë ose ta pushtojnë. Nëse i duhet Kanali i Panamasë mund ta marrin jo vetëm sepse e ndërtuan dje, por edhe sepse Panamaja nuk e mbron dot sot.
Nëse SHBA-të duan ta aneksojnë Kanadanë si shtetin numër 51, sepse ajo është e pasur dhe plot me të krishterë të bardhë, atëherë ata kanë të drejtë ti imponojnë tarifa të rënda, në kundërshtim me çdo traktat të firmosur mes dy vendeve. Në këtë mënyrë ekonomia Kanadeze do kolapsojë sepse ajo varet pothuajse tërësisht nga ekonomia Amerikane. E vetmja rrugë që i mbetet Kanadasë është të bëhet pjesë e SHBA-ve për të eleminuar tarifat.
Të njëjtën llogjikë Trampizmi e përdor në rastin e Rusisë. Nëse Rusia ka interes dhe forcën e mjaftueshme për ti hequr një llokmë Ukrainës dhe Evropës Lindore, ku SHBA-të nuk kanë ndonjë interes, atëherë pse jo? Është llogjika e më të fortit. Aq më mirë kur ky i fortë jo vetëm nuk cënon interest e mia ekonomike por edhe ndan të njëjtën ideologji anti-liberale, fetare, maskiliste dhe raciste me mua.
Në këtë rend të ri botëror kombet dhe shtetet më të rrezikuara janë ato të voglat, si Shqipëria dhe Kosova. Parimet, vlerat dhe institucionet demokratike shërbejnë për të mbrojtur të dobëtit nga të fortët dhe jo ansjelltas. Edhe pse jo gjithmonë e kryejnë këtë detyrë me sukses.
Në rendin e ri të forcës së zhveshur nga çdo parim ku Perëndimi reduktohet tek krishtërimi i bardhë i Testametit të Vjetër dhe imagjinohet në luftë të përgjakëshme me Islamin, kombi shqiptar dhe dy shtetet tona janë dy herë jetim.
Së pari, sepse një perëndim që reduktohet tek një fe e vetme, apo tek përplasja e qytetërimeve, nuk ka hapësirë për një komb multi-fetar si i yni. Së dyti, sepse një perëndim pa demokraci, pa barazi përpara ligjit, me nacionalizëm ekstremist dhe me një udhëheqës që është vetë ligji dhe e vërteta është e kaluara që kombi ynë, dhe dy shtetet tona, po sforcohen ta lënë pas prej dekadash.
Llogjika e përplasjes së Krishtërimit dhe Islamit, që frymëzon trampizimin sot, është vrastare për kombe të bukura si i yni ku qytetërimet dhe fetë nuk përplasen por përqafohen. Nuk është një përqafim që është arritur lehtë dhe natyrshëm, ndaj kurrë nuk duhet marrë si i mirëqenë.
Është derdhur shumë gjak, djersë dhe mund nga shumë breza shqiptaresh e shqiptarësh që qytetërimet dhe fetë që takohen brenda kufijëve të kombit tonë të bukur të mos përplasen por të përqafohen. Është një përqafim që ushqehet lehtë me idealet e lirisë, demokracise dhe të tolerancës së Perëndimit nga ku lind dielli. Ama ky përqafim mund të kthehet lehtë në përplasje nëse ushqehet me ideologjinë e përplasjes së qytetërimeve të Perëndimit trampist nga ku lind errësira e diktaturës.
Këtë të fundit kombi ynë e njeh shumë mirë dhe shumë më nga afër se populli amerikan që për fatin e tij ende nuk ka jetuar në diktaturë. Ndonëse sot diktatura dhe autoritarizmi po i troket në derë SHBA-ve si kurrë më parë.
Ne i njohim mirë ideologjitë që bazohen tek adhurimi i liderit të pagabueshëm që qëndron mbi ligjin dhe mbi të vërtetën. Ne i njohim mirë liderët që bëhen njësh me kombin, kritikët e të cilëve janë armiqtë e popullit.
I njohim nga afër udhëheqësit që pushtetin e përdorin për tu pasuruar, që partinë e kthejnë në një piedestal të egos së tyre, që sulmojnë mediat dhe drejtësinë kur heton korrupsionin e tyre, që e mbushin administratën publike me besnikët më fanatik, apo që zgjedhjet i pranojnë vetëm kur i fitojnë.
Për të gjitha këto arësye trampizmi dhe Amerika që ai po ndërton përbën një rrezik ekzistencial për esencën e kombit shqiptar dhe për ardhmërinë perëndimore dhe demokratike të dy shteteve tona. Natyrisht kjo nuk do të thotë aspak që Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të sforcohen për të bashkëpunuar dhe ruajtuar marrdhëniet e mira me SHBA-të e Donald Trump. Ky është një detyrim i pashmangëshëm për të dyja shtetet tona.
Ama përqafimi i ideologjisë trampiste, apo i trampizmit si lëvizje politike, nga cilado forcë politike shqiptare, në të dyja anët e kombit tonë, është një atentat që i bëhet jo vetëm ëndrrës sonë perëndimore dhe demokratike por edhe esencës sonë kombëtare.