Elon Musk dhe Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, janë përplasur me ministrin e Jashtëm polak, Radosław Sikorski, pas një komenti të tij mbi shërbimin Starlink për Ukrainën.
Sikorski kishte sugjeruar që Polonia mund të kërkojë një alternativë për shërbimin e internetit satelitor nëse SpaceX nuk garanton një shërbim të qëndrueshëm, duke e quajtur një problem etik përdorimin e Starlink.
“Starlink për Ukrainën u pagua nga Ministria Polake e Dixhitalizimit me një kosto prej rreth 50 milionë dollarë në vit. Përveç aspektit etik të kërcënimit ndaj një vendi të sulmuar, nëse SpaceX tregohet një furnizues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë një alternativë tjetër për internetin satelitor”, shkroi ai.
Musk iu përgjigj me fjalët “Hesht, burrë i vogël,” duke thënë se Polonia paguan vetëm një pjesë të kostos dhe se nuk ka asnjë zëvendësues për Starlink.
Marco Rubio gjithashtu u përfshi në debat, duke kritikuar postimin e Sikorskit dhe duke thënë se pa Starlink, Ukraina do të kishte humbur luftën dhe Rusia do të ishte tashmë në kufirin me Poloninë.
Musk e mbështeti këtë deklaratë, duke theksuar se Starlink nuk do të mbyllë kurrë terminalet në Ukrainë, edhe pse ai nuk është dakord me politikën e vendit.