Për shkak të reshjeve të shiut dhe kushteve të keqija atmosferike, është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit në Vlorë për sot dhe nesër (11-12 mars).
Ndërkohë, tragetet do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve të tyre, përfshirë linjën Vlorë-Brindisi. Situata pritet të përmirësohet pas orës 08:00 të datës 12 mars.
Njoftimi i plotë:
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 11-12.03.2025 duke filluar nga ora 02:00 datë 11.03.2025 në drejtimin Jug-Jug-Lindje në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
-
Është ndaluar paisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 02:00 datë 11.03.2025.
-
Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.
-
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse, trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë do të mbërrijë në portin e Vlorës në orën 13:00.
-
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 12.03.2025.