Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar 27 raste shkeljesh të Kodit Zgjedhor nga ministra të kabinetit qeveritar, duke përmendur Belinda Ballukun, Ogerta Manastirliun dhe Blendi Gonxhën.
PD raporton se këto shkelje janë denoncuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por ende nuk janë marrë masa kundër shkelësve.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Mbështetur në të dhënat e administruara nga PD lidhur me evidencat tona që kanë të bëjnë me shkelje administrative gjatë procesit të deritanishëm parazgjedhor, bëjmë me dije se:
Deri tani janë denoncuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 27 raste të cilat lidhen me shkelje të kryera nga zyrtarë të kabinetit qeveritar si Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhe, apo të tjerë zyrtarë përfaqësues të institucioneve shtetërore qëndrore dhe vendore.
Për këto 27 raste ankimimi KQZ ka vendosur:
Pranimin e tyre dhe fillimin e hetimit administrativ për 16 raste;
Mosfillim hetimi për 6 raste;
Pushim të hetimit për 2 raste.
Për të gjitha rastet për të cilat ka nisur hetim administrativ nuk kemi ende masa penalizuese të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Partia Demokratike kërkon nga KQZ marrjen e masave konkrete për shkeljet e evidentuara dhe shkelësit konkretë për të penguar kryerjen e veprimtarive publike të ndaluara sipas Kodit Zgjedhor të RSH, Vendimit nr.9/2020 të Komisionit Rregullator, veprime këto të cilat nuk sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe cenojnë zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë ndërmjet palëve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.