Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të flasin në ditët në vijim, ndërsa bisedimet vazhdojnë për një armëpushim të mundshëm në luftën trevjeçare në Ukrainë.
I dërguari i SHBA Steve Witkoff, i cili u takua me Putin të enjten në Moskë, i tha CNN se ai priste që “do të ketë një telefonatë me të dy presidentët këtë javë”.
“Ne po vazhdojmë gjithashtu të angazhohemi dhe të bisedojmë me ukrainasit”, shtoi ai.
Witkoff tha në intervistën të dielën: “Unë mendoj se dy presidentët do të kenë një diskutim vërtet të mirë dhe pozitiv këtë javë.”
Ai tha gjithashtu se ekipet e negociatorëve të SHBA-së do të takohen me homologët nga Ukraina dhe Rusia gjatë javës së ardhshme.
Sipas BBC, Witkoff shtoi se ai besonte se një marrëveshje do të arrihet “në [javët] e ardhshme”.
“Unë kam vërtet shpresë se do të shohim një përparim këtu,” tha ai.