Ambasada e Shqipërisë në Paris njofton se 15-vjeçarja nga Kosova, Merina Syla, e zhdukur pa gjurmë tre ditë më parë, është rikthyer te familja e saj dhe gëzon shëndet të plotë.
Vajza, që jetonte në Strasburg, kishte humbur kontaktet me familjen më 14 mars, duke alarmuar autoritetet franceze dhe Ambasadën shqiptare. Pas bashkëpunimit me policinë franceze dhe familjen, Merina është rikthyer në shtëpi dhe është shëndoshë e mirë.
Njoftimi i plotë:
Ambasada e Shqipërisë në Francë sqaron se, sot në mëngjes, menjëherë sapo është informuar nga të afërm të personit, Ambasada e Shqipërisë është mobilizuar dhe angazhuar për rastin e shtesases franceze me origjinë nga Republika e Kosovës, me banim në Strasburg të Francës, Merina Syla (15 vjeç), e cila kishte humbur kontaktet me familjen që prej datës 14 mars.
Pas bashkëpunimit të Ambasadës me autoritetet policisë franceze dhe familjen e vajzës dhe verifikime dhe ndjekjes në terren, njoftojmë se Merina Syla është rikthyer në shtëpi pranë familjarëve të saj dhe gëzon shëndet të mirë.
Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasada e Shqipërisë në Francë, falenderon autoritetet franceze dhe familjarët dhe të afërmit e vajzës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin.