Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar sot në Tiranë një deklaratë trepalëshe për të bashkëpunuar më fort në fushën e mbrojtjes. Sipas mediave kroate dyert janë të hapura edhe për anëtarin e katërt Bullgarinë. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci tha se ky “nuk është kërcënim ndaj askujt” por “angazhim shtesë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”.
Me këtë deklaratë të nënshkruar, ai tha se “Shqipëria, Kroacia dhe Kosova do të jenë bashkë edhe më fuqishëm përballë sfidave dhe synimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”.
Maqedonci u shpreh se kjo përfshin “forcim të bashkëpunimit dhe avancim të hapave për mbrojtjen e territoreve dhe të njerëzve tanë; për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare; si dhe për prodhimtarinë e industrisë së mbrojtjes”.
Shqipëria dhe Kroacia “do të vijojnë ta mbështesin Kosovën në aspiratën e saj për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”, tha ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët.
“Në Tiranë nënshkruam me Kroacinë dhe Kosovën, Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të aftësive mbrojtëse, zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimit të ndërveprimit ushtarak në rajon”, tha ai.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić përmendi rreziqet gjeopolitike dhe ato të sigurisë në Europën juglindore. Anušić tha se “Kroacia, pas 35 vitesh pavarësi si anëtare e NATO-s dhe BE-së, ka njohuri të vlefshme që dëshiron t’i ndajë me aleatët e saj”.
Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, marrëveshje trepalëshe ushtarake