Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj për përfshirje në një “betejë mafioze” për kontrollin e Bashkisë së Tiranës. Në një fjalim të mbajtur në Njësinë 8 të Tiranës, Berisha e cilësoi këtë konflikt si një episod të parë të një “filmi Narcos”, që do të çudisë qytetarët dhe botën.
Berisha akuzoi Ramën dhe Veliajn për lidhje me një “organizatë të rrezikshme kriminale” dhe për abuzime të shumta, përfshirë mashtrimin me pemët që nuk janë mbjellë dhe aferën e inceneratorëve.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Kreu i organizatës, Edi Rama, është kryetari i një organizate të rrezikshme kriminale për qënien e shqiptarëve.
Ju, po të merrni vetëm ç’ndodh sot, 3 ditët e fundit.
Përleshja e tyre në Bashkinë e Tiranës është përleshje nga më mafiozet dhe nga më kriminalet.
Nuk ka unë asnjë sentiment se është një hajdut Erion Veliaj që, meriton të dënohet për 1 milionë pemë që ka mashtruar dhe ka vjedhur paratë e fidanëve dhe nuk i ka mbjellë. Ai meriton të dënohet për djegësine Tiranës, 130 milionë euro, që nuk ekziston.
Ai meriton të dënohet me 5D, se ata janë, ata 5D prishin si barbarë shtëpitë e qytetarëve dhe nuk i kompensonin.
Por, janë rregullat rregulla.
Erion Veliaj dënohet për ato gjëra që s’i ka bërë bashkë me Edi Ramën. Dhe ato që ka bërë, djegësin që ka bërë me urdhër të Edi Ramës nuk dënohet. Nuk dënohet për 5D, për hotelin, se u tha që është Olsi Rama aksioner. Nuk dënohet për ato.
Dhe tani, beteja mafioze. Njëri shkon dhe emëron Anuela Ristanin, Veliaj e shkarkon dhe emëron një tjetër aty kryetare. Ato janë funksione të këshillit bashkiak kudo, as të Ramës dhe as të Veliajt. Duhet të mblidhet Këshilli Bashkiak i qytetit dhe të emërojë se kush do të kryejë funksionet.
Por, betejë mafiozësh.
Rama shkon dhe emëron Sekretare të Përgjithshme një tjetër. Ky i thotë Policisë Bashkiake ndaloje hyrjen nga burgu.
E merrni vesh se ku është Tirana dhe Bashkia, në duart e çfarë mafieje të rrezikshme është.
Belind Këlliçi ka një meritë të jashtëzakonshme që nuk iu nda. Dhe qytetarët e Tiranës kanë një meritë të jashtëzakonshme që në 44 javë nuk iu ndanë atij hajduti.
Por tani, kjo është vetëm pjesa e parë e filmit Narcos. Ta keni të qartë që keni parë vetëm serinë e parë të atij filmi. Se çfarë do të shohim në seritë e tjera, do çuditet ju dhe bota.
Por ne, të lemë kreun e organizatës kriminale të kacafytet me mafien. Ne të bëjmë punë me çdo qytetar, pavarësisht çfarë bindjesh ka, në mënyrë që të bashkohet me ne.