Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe rolin e Belinda Ballukut në qeveri.
Ai e përshkroi Ballukun si “kryeministren në hije” dhe nënvizoi se opozita po zhvillon një kryengritje paqësore me ndikim ndërkombëtar për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve.
“Rama i damkosur sa asnjë lider tjetër në Europë. Kjo është arritje për forcat demokratike, për opozitën. Rama politikisht është i plagosur për vdekje. Kryengritja e jashtëzakonshme e opozitës me jehonën e saj ndërkombëtare, ka luajtur rol në mbrojtjen e dinjitetit shqiptar. Opozita përballet dhëmbë për dhëmbë me regjimin e Ramës.
Gjer tani nuk ka asnjë vendim konkret pas deklaratës së Ramës se çështja Belinda Balluku u mbyll! Ajo që po ndodh është Balluku si kryeministre në hije, vendimmarrëse kryesore në partinë e krimit. Balluku çdo ditë shkon në ministrinë dhe agjencitë që drejtonte më parë, për të vazhduar në drejtim të tyre dhe për të ndryshuar dokumente. Belinda Balluku është bërë tmerr për deputetët dhe drejtuesit e PS. Nuk guxojnë t’ia përmendin emrin. Ajo ka rivendosur, rikthyer Oltion Bistrin si organizator të karteleve dhe bandave kriminale. Rama deklaroi se çështja Balluku u mbyll, por jo për ne. Ne jemi në këmbë. Do të vazhdojmë kryengritjet paqësore, deri në largimin e Ramës.”









