Kristjan Asllani ka komentuar pas humbjes së Shqipërisë ndaj Anglisë, duke folur për situatën e tij te Interi dhe Kombëtarja. Ai ka pranuar se nuk ka dhënë maksimumin te Interi dhe se mund të ketë merituar vërshëllimat nga tifozët, megjithatë, ka shtuar se ndoshta nuk e meritoi agresivitetin ndaj tij pas Superkupës.
Asllani ka shpjeguar se nuk po luan në rolin e tij të preferuar në Kombëtare, pasi trajneri Silvinjo e kërkon një mesfushor më mbrojtës.
“Gjithmonë e kam thënë që jam tifoz i Interit, por nuk dua të rri këtu dhe të bëj premtime sepse tani është e kotë. Mendoj që të përfundoj sezonin një herë. E ardhmja? Kur erdha këtu e bëra sepse e shihja veten për shumë vite me ngjyrat zikaltër dhe shpresoj ende të qëndroj për shumë vite si zikaltër. Por në futboll nuk i dihet kurrë. Të shohim se çfarë do të ndodhë, tani kemi edhe këta dy muaj, do të mundohemi të japim maksimumin.
Tifozët më kanë vërshëllyer, nuk jam këtu për të thënë gënjeshtra. Sigurisht, nëse e kanë bërë, kanë pasur arsyet e tyre, nuk kisha luajtur mirë, i kam merituar vërshëllimat, i marr përsipër të gjitha gjërat negative. Por është edhe çështja që pas Superkupës ata ishin shumë agresivë me mua, nuk mendoja se e meritoja atë trajtim. Vazhdoj të punoj me qetësi, skuadra më qëndron pranë, kam një familje që më do, jam 23 vjeç, e di që mund të rritem. E di gjithashtu që në këto tre vite nuk i kam shfaqur shumë dhe shpesh cilësitë e mia.
E di edhe që të luash pak dhe të hysh nga pankina është pak e vështirë. Por nuk ka problem, kam pranuar ta bëj këtë, jam i lumtur që kam lojtarë të fortë përpara meje, si Hakan që është një mësues dhe vëlla, është e drejtë të mësosh prej tij. Siç ishte e drejtë të mësoja nga Brozoviç, i cili ishte një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij. Por mendoj se jam gati sepse kam pasur një rrugë të mirë rritjeje.
Këtu në kombëtare, me Silvinjon, unë kam luajtur gjithmonë si mesfushor më i avancuar, pasi kërkon një organizator pak më mbrojtës. Më ka thënë gjithmonë që kam edhe karakteristika ofensive, pasi e njoh golin dhe asistin, ndaj për mua është në rregull. Kam folur me të, edhe pse e ndjej veten më shumë si regjisor. Jam i lumtur që marr edhe këto minuta, pasi bëjnë pjesë në rrugëtimin tim”, tha Asllani.