Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën Belind Këlliçi në rrjetin e tij social ka postuar disa foto të mbeturinave pranë banesave sociale në Shkozë-Tiranë.
Këlliçi shprehet se Tirana përpihet nga mbeturinat dhe nxënësit janë dëshmitarë okularë të kësaj batërdie.
Ai thotë që nxënësit në shkolla mësojnë sesi të ruajnë mjedisin por ata kalojnë mbi plehrat e hapura për të shkuar në mësim. Sipas tij bashkia e Tiranës ka dështuar në të gjitha aspektet dhe i ka humbur të gjitha funksionet.
“Nxënësit në shkolla duhet të mësojnë si të ruajnë mjedisin, si ta mbajnë të pastër atë. Ndërsa nxënësit në Tiranë kalojnë mbi plehrat e hapura rrugëve për të shkuar aty ku duhet të mësohet e kundërta, pastaj edhe pasi kryejnë mësimin, sërish kthehen nga e njëjta rrugë, mbi të njëjtën pështirësi kudërmuese të kësaj qeverie të papërgjegjshme, të kësaj qeverie, e cila e përbuz qytetarin e saj vazhdimisht.
Qartësisht, Bashkia Tiranë ka dështuar në të gjitha aspektet, i ka humbur të gjitha funksionet. Gjithçka që ndodh, vetëm sa qëmton të vërtetën e kapitullimit të këtij institucioni inekzistent për qytetarët. Institucion, i cili është shndërruar në një patate të nxehtë e cila hidhet nga një dorë në një dorë tjetër, prandaj Tirana është në kaos. “, shkruan Këlliçi.