Pas fitores 3-0 të Shqipërisë ndaj Andorrës, kapiteni Berat Gjimshiti ka folur për mediat, duke përgëzuar shokët e skuadrës për performancën e tyre dhe duke premtuar se kombëtarja do të përmirësohet më tej në ndeshjet e ardhshme.
Ai theksoi se kjo fitore ishte një përgjigje e duhur pas humbjes me Anglinë dhe një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit.
“Kjo fitore ishte përgjigja e duhur, jo vetëm për tifozët por edhe për ne. Ishte e rëndësishme të rikuperonim pas humbjes me Anglinë. U futëm në fushë për të fituar, gjetëm golin me Manajn, që ishte çelësi për ta fituar ndeshjen.
Ishim edhe të lodhur se vinim tre ditë pas një ndeshjeje shumë të vështirë me një kundërshtar si Anglia. Çunat kanë bërë një ndeshje shumë të mirë sot, kemi ende për të përmirësuar disa gjëra, por jemi të lumtur me 3 pikët. Do të përmirësohemi akoma dhe më shumë me kalimin e kohës dhe do të shikojmë një Shqipëri të bukur, por gjëja më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen dhe të marrim pikët”, tha Gjimshiti.