Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja ka denoncuar nga fshati Mallkuç mjerimin ku ndodhet Shqipëria. Kjo është një panoramë e qartë, pasqyrim i gjendjes së shumë fshatrave të Shqipërisë.
Të braktisur, shpopulluar dhe të harruar. Fshati Mallkuç në Krujë nuk ka as shkollë, as ambulancë dhe as linja furgoni. Pamjet flasin vetë.
“Ndodhem në Kodër Mallkuç, në një nga zonat e shpopulluara. Kjo ka qenë një klasë që ka mbajtur fëmijët e klasave të ndryshme, ndërsa sikur i shikoni pamjet sot janë rrëqethëse. Qëllimi i Edi Ramës ka qenë për të përzënë shqiptarët nga Shqipëria.
Duke mbyllur një shkollë sigurisht që do të hapet një burg. Edhe shkolla e Mazhës së vogël është prishur dhe prindërit i kanë çuar fëmijët drejt Bubqit, edhe kjo ka një kosto që i paguajnë vetë fëmijët.
U kanë hapur një mijë e një probleme për t’u nxirë jetën për t’i larguar shqiptarët nga shtëpitë e tyre. Mbyllja e shkollës së Mallkuçit është një dëshmi e pastër e shpopullimit të Shqipërisë.
Një dëshmi tjetër është kjo ambulancë, e fshatit Mallkuç që përfshin shumë banorë të zonës, por që është jashtë funksionit për të bërë shërbimet bazë. E gjithë kjo zonë, veç shkollës së mbyllur dhe pa ambulancë, nuk ka as linja furgoni” tha ai.