Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të ndalojnë përplasjet ushtarake në Detin e Zi dhe të negociojnë detajet për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike. Ky do të ishte hapi i parë konkret drejt një armëpushimi të pjesshëm, për të cilin administrata Trump ka lobuar prej kohësh, por ende mbetet i paplotë dhe i paqartë në zbatim.
Të dyja palët – si Ukraina ashtu edhe Rusia – e kanë konfirmuar marrëveshjen, megjithëse Moska ka vendosur disa kushte serioze. Kremlini deklaroi se do ta respektojë marrëveshjen vetëm nëse banka shtetërore bujqësore e Rusisë rilidhet me sistemin ndërkombëtar të pagesave, dhe hiqen kufizimet për operacionet e financimit të tregtisë, të vendosura si sanksione pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Shtëpia e Bardhë, në deklaratën për bisedimet me Rusinë, u shpreh se një pjesë e këtyre kushteve “do të ndihmojnë në rikthimin e aksesit të Rusisë në tregjet ndërkombëtare për eksportet bujqësore dhe të plehrave kimike, në uljen e kostove të sigurimeve detare dhe në lehtësimin e aksesit në porte dhe sisteme pagese për transaksione të tilla.”
Këto marrëveshje u arritën pas tre ditësh negociata intensive në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, ku delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë u takuan veçmas me ndërmjetës amerikanë.
Shtëpia e Bardhë publikoi dy deklarata të ndara, ku thuhej se Uashingtoni ka arritur marrëveshje të veçanta me Ukrainën dhe Rusinë për ndalimin e sulmeve detare dhe energjetike. Të tre palët – Uashingtoni, Kievi dhe Moska – e mirëpritën përfshirjen e vendeve të treta në zbatimin e marrëveshjes.
Megjithëse kjo është një arritje e rëndësishme për përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një armëpushim, ajo nuk përfshin ndonjë lëshim të madh nga Rusia, që mbetet agresori në këtë luftë.
Interesi për të ndalur sulmet energjetike është i ndërsjellë, pasi të dyja palët kanë vuajtur nga sulmet. Rusia, në veçanti, ka interes të madh për një pauzë në Detin e Zi, ku sulmet e përsëritura ukrainase e kanë detyruar marinën ruse të tërhiqet.
Presidenti rus Vladimir Putin është përpjekur të paraqitet si i hapur ndaj kërkesave të presidentit Trump për ndalimin e sulmeve energjetike dhe për sigurinë në Detin e Zi – por këto janë objektiva që Kremlini i ka synuar edhe më parë, për përfitimet që sjellin për vetë Rusinë.
Putin ka refuzuar më parë një propozim amerikan – të cilin Ukraina e kishte pranuar – për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke këmbëngulur që një marrëveshje më e gjerë duhet të përfshijë ndalimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe ndalimin e mobilizimit të saj – dy kushte që Ukraina nuk i pranon.
Tani pritet që Ukraina dhe Rusia të diskutojnë detajet për zbatimin e marrëveshjes për Detin e Zi dhe objektet energjetike. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, i cili drejtoi delegacionin ukrainas në Riad, deklaroi se do të ketë “konsultime teknike shtesë sa më shpejt” për “zbatimin, monitorimin dhe kontrollin e marrëveshjeve.”
Që javën e kaluar, të dyja palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet ndaj objekteve energjetike, por marrëveshja nuk ishte zbatuar dhe të dyja vendet akuzonin njëra-tjetrën për vazhdimin e goditjeve.
Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike kanë qenë një nga armët kryesore të luftës. Rusia ka goditur sistematikisht rrjetin elektrik të Ukrainës, për të dëmtuar moralin e popullsisë dhe aftësinë e vendit për të zhvilluar luftën. Ukraina, nga ana tjetër, ka goditur vazhdimisht rafineritë dhe objektet e naftës së Rusisë, për të reduktuar të ardhurat që ushqejnë makinerinë ushtarake të Kremlinit.
Të dyja vendet varen nga Deti i Zi për eksportet e tyre bujqësore. Në mesin e vitit 2022, palët arritën një marrëveshje për të lejuar Ukrainën të eksportojë grurë përmes Detit të Zi, por Rusia u tërhoq një vit më pas, duke thënë se sanksionet perëndimore po e pengonin të eksportonte vetë.
Pas kësaj, Rusia kërcënoi të gjitha anijet tregtare që hynin apo dilnin nga portet ukrainase, me qëllim bllokimin e eksporteve ukrainase. Si përgjigje, ushtria ukrainase filloi një fushatë agresive që e detyroi marinën ruse të largohej nga pjesa perëndimore e Detit të Zi, duke shkatërruar një numër të konsiderueshëm anijesh dhe goditur selinë e marinës ruse në Krime. Kjo i lejoi Ukrainës të krijojë një korridor të ri detar, duke rifilluar eksportet me pothuajse kapacitetet e para luftës.
Ministri ukrainas Umerov theksoi se sipas marrëveshjes,
“çdo lëvizje e anijeve ushtarake ruse jashtë pjesës lindore të Detit të Zi do të konsiderohet shkelje e frymës së kësaj marrëveshjeje,” dhe shtoi se Ukraina do të ketë “të drejtë të plotë për të ushtruar vetëmbrojtje.”
Sipas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë, të dyja vendet kanë rënë dakord të “eliminojnë përdorimin e forcës në Detin e Zi.” Nuk është ende e qartë nëse kjo përfshin edhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës portuale, që sipas ukrainasve ishte një temë e diskutuar në negociata. Kievi ka shfaqur interes për të rinisur aktivitetin në portet afër vijës së frontit, si Mykolaiv dhe Kherson, të cilat janë mbyllur për shkak të luftimeve./The New York Times