Kryeministri Edi Rama shprehu besimin se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe do të mbyllë negociatat deri në vitin 2027. Gjatë Live-it në Facebook, ai theksoi se Evropa është e gatshme të zgjerohet dhe Shqipëria është një hap përpara vendeve të tjera të rajonit si Mali i Zi dhe Serbia.
“E kam besimin sepse për këtë më keni zgjedhur me dhe më paguani për arsyet e këtij besimi. Arsyet janë ato që sheh edhe ti, është edhe situata që është në Evropë. Evropa kërkon të zgjerohet dhe duhet t’i kesh dëgjuar që me vetë gojën e komisioneres së Zgjerimit, Evropa thotë q ë deri në 2027 duhet të mbyllim negociatat me Shqipërinë, kjo nuk ka bërë vaki ndonjëherë. Mali i zi ka që në 2012 që i ka hapur negociatat dhe nuk ka hyrë akoma, ne tani jemi krahë për krah. Serbia që i ka hapur më 2014, është mbrapa nesh.
Me 11 maj e ndajmë këtë punë, nëse ka një votë plebishitare për të hyrë në BE, do të jetë shumë më e lehtë për ne. Ne mbarojmë negociatat në 2027, duhet të vrapojmë jo të ndahemi, Nuk duhet të luhatemi majtas apo djathtas, shko drejtë, te numri 5 në fletën e votimit. Vër shënimin dhe jemi në rregull dhe detyrimi ynë është të të japin ty pasaportën e BE dhe shqiptarëve.”